Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shtuar kontrollet për importet e misrit që përdoret si ushqim për kafshë, duke vendosur bllokimin e ngarkesave në magazinat e importuesve deri në daljen e rezultateve laboratorike, pas konstatimit të dy rasteve me përmbajtje jokonforme të aflatoksinës B1.
Sipas të dhënave të publikuara nga AKU, gjatë periudhës 1 janar – 31 tetor 2026, në Pikat e Inspektimit Kufitar janë marrë 28 mostra të produktit ushqim për kafshë për analizimin e këtij treguesi. Prej tyre, 26 kanë rezultuar konforme, ndërsa dy mostra, të marra më 3 mars dhe 4 maj 2026, me origjinë nga Greqia, kanë rezultuar jokonforme. Sipas AKU-së, të dyja ngarkesat me misër për ushqim kafshësh janë bllokuar në magazinat e subjekteve importuese dhe më pas janë dërguar për asgjësim.
Pas këtyre konstatimeve, AKU ka hartuar një plan masash tre-mujor për forcimin e kontrolleve ndaj këtij produkti. Plani është bazuar në matricën e riskut, duke marrë në konsideratë historikun e rasteve jokonforme, origjinën e produktit, sasinë dhe numrin e importeve. Në kuadër të këtij plani, po merren mostra për ngarkesat e të gjithë importuesve, me vëmendje të veçantë ndaj operatorëve që importojnë për herë të parë. Deri tani janë marrë 16 mostra, të cilat janë dërguar për analizim në Laboratorin e Referencës të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), ndërsa rezultatet janë ende në proces.
AKU njofton se të gjithë operatorët e biznesit që importojnë misër për ushqim kafshësh janë informuar se produkti do të mbahet i bllokuar në magazinat e tyre deri në përfundimin e analizave, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Frekuenca e marrjes së mostrave do të përditësohet në varësi të historikut të jokonformiteteve, origjinës, sasisë dhe numrit të importeve.
