16 vjeçari që vdiq në vendin e punës në Zvicër ishte mik i familjes Golaj, shqiptarët shprehin dhimbjen për rastin: Është si ta kem humbur djalin tim
Një ngjarje tragjike në vendin e punës në Leibstadt të Zvicrës ka tronditur një familje shqiptare, pasi një 16-vjeçar nga Sri Lanka, mik i ngushtë i familjes Golaj, ka humbur jetën në një aksident me pirun ngritës (forklift).
Në qendër të kësaj tragjedie është shqiptari Besim Golaj, 42 vjeçar, dhe djali i tij Rrust Golaj, 17 vjeç, të cilët e njihnin të ndjerin prej rreth pesë vitesh dhe e konsideronin si pjesëtar të familjes.
Besimi e kishte ndihmuar të riun të përshtatej në Zvicër, madje edhe në gjetjen e një vendi për praktikë profesionale, ndërsa djali i tij Rrust ishte shoku i tij më i ngushtë.
“Për mua ishte si një anëtar i familjes. Është sikur të kem humbur një djalë timin”, ka deklaruar Besim Golaj për mediumin zviceran 20 Minuten, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të riut, transmeton Telegrafi.
Shqiptari tregon se së bashku me djalin e tij kalonin pothuajse çdo ditë kohë me 16 vjeçarin.
Ata luanin FIFA, porositnin pica, stërviteshin në fushën e futbollit dhe merrnin pjesë në aktivitete të përbashkëta. Të tre kishin krijuar një lidhje të veçantë, ndërsa i ndjeri ishte edhe bashkëlojtar i Rrustit në ekipin U17 të FC Leibstadt.

Besim Golaj kishte luajtur rol të rëndësishëm edhe në integrimin e të riut në Zvicër. Pasi kishte ardhur nga Kanadaja para rreth pesë vitesh dhe fillimisht kishte vështirësi me gjuhën gjermane, ai e kishte ndihmuar të përshtatej në komunitet.
Kur 16 vjeçari kishte hasur vështirësi për të gjetur një vend praktike për shkak të njohurive të kufizuara të gjermanishtes, Besimi kishte ndërhyrë duke e rekomanduar te kompania Meier Logistik AG.
Pas tragjedisë, rreth 100 futbollistë të rinj dhe anëtarë të FC Leibstadt janë mbledhur në ambientet e klubit për të nderuar kujtimin e 16 vjeçarit dhe për të shprehur ngushëllimet.
Besimi dhe djali i tij gjithashtu kanë vizituar familjen e të ndjerit, duke u qëndruar pranë prindërve dhe dy motrave të tij në këto momente të rënda, transmeton Telegrafi.
“Ne u thamë se nuk janë vetëm”, ka treguar shqiptari, duke përshkruar takimin me familjen e të ndjerit.
Ndërkohë, Besim Golaj dhe djali i tij kanë ngritur pikëpyetje lidhur me rrethanat e aksidentit dhe mënyrën se si 16 vjeçari ishte lejuar të drejtonte një pirun ngritës të madh, pasi praktikën si specialist i logjistikës e kishte filluar vetëm në gusht.
Ata theksojnë se nuk dëshirojnë të fajësojnë kompaninë, por kërkojnë të kuptojnë nëse i riu kishte marrë trajnimin dhe udhëzimet e nevojshme për përdorimin e automjetit.

Sipas rrëfimit të tyre për 20 Minuten, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur gjatë ngarkimit të një kamioni, kur piruni ngritës ishte bllokuar në rampën e ngarkimit dhe më pas ishte përmbysur. Rrethanat e sakta të ngjarjes janë ende objekt hetimi nga Policia Kantonale e Aargaut.
Tragjedia ka lënë një boshllëk të madh te familja e Besim Golajt dhe te shokët e të ndjerit, të cilët e kujtojnë si një djalë të afërt, të dashur dhe të integruar në komunitetin ku jetonte./Telegrafi/





























