Të shtënat në Washington, autori i sulmit ngujohet në një pallat, policia rrethon zonën
Të paktën pesë persona janë qëlluar me armë zjarri në zonën e Logan Circle, në Uashington, në një ngjarje që nisi brenda palestrës VIDA Fitness dhe u përhap edhe në rrugët përreth. Policia ka shpallur situatën aktive dhe po zhvillon një operacion për kapjen e autorit. (Foto: SkyNews/AP)
Sipas raportimeve të NBC News, sulmuesi hyri në palestër dhe qëlloi një person në shpinë, përpara se të dilte me vrap jashtë. Pas të shtënave, ambientet e palestrës u evakuuan, ndërsa në rrugë u dëgjuan të shtëna të tjera, duke shkaktuar panik mes njerëzve që ndodheshin në zonë.
Dëshmitarë të cituar nga mediat amerikane kanë treguar se personat brenda palestrës u përpoqën të fshiheshin pas pajisjeve dhe më pas u larguan drejt një ndërtese pranë saj. Një klient i palestrës tha se kishte parë një person të plagosur brenda ambientit, ndërsa dëshmitarë të tjerë raportuan për të shtëna edhe në zonën e parkimit dhe jashtë ndërtesës. Këto detaje nuk janë konfirmuar të gjitha zyrtarisht nga policia.
Sipas autoriteteve, pesë persona janë qëlluar, por deri tani nuk janë bërë të ditura gjendja shëndetësore e të plagosurve apo identitetet e tyre. Policia u ka kërkuar banorëve dhe qytetarëve të shmangin zonën pranë kryqëzimit të 15th Street dhe P Street NW, ndërsa disa rrugë janë bllokuar dhe shkollat në afërsi janë vendosur në izolim.
Sipas raportimeve të NBC News, autori dyshohet se është ngujuar në një ndërtesë pranë palestrës. Në vendngjarje janë angazhuar forcat speciale të policisë, agjentë të Byrosë për Alkoolin, Duhanin, Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët (ATF), si dhe FBI-ja. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për motivin e sulmit.
Logan Circle ndodhet rreth 1.6 kilometra larg Shtëpisë së Bardhë. Operacioni policor vijon, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të qëndrojnë larg zonës deri në njoftimin e radhës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







