Shqiptari dyshohet se vrau bashkëshorten në Austri, besonte se ajo merrej me magji të zezë

Një shtetas 47-vjeçar i Kosovës dyshohet për vrasjen e bashkëshortes së tij 38-vjeçare, nënë e katër fëmijëve, në Austri, ndërsa një 45-vjeçar tjetër nga Kosova akuzohet se ia kishte siguruar armën e krimit, duke e ditur se ai kishte ndërmend ta vriste gruan.
Sipas raportimit të mediumit austriak Heute, rasti përmban edhe një element tjetër që lidhet me gjendjen psikike të të dyshuarit kryesor. Ai dyshohet se besonte se bashkëshortja e tij ishte shtrigë dhe merrej me magji të zezë, ndërsa fantazonte vazhdimisht për demonë dhe forca të errëta.
Një ekspertizë plotësuese psikiatrike e siguruar së fundmi e ka vlerësuar 47-vjeçarin si psikotik dhe ka konstatuar se ai nuk konsiderohet penalisht përgjegjës, transmeton Telegrafi.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 prill, të dielën e Pashkëve, në Sooß të Austrisë së Poshtme. Sipas dyshimeve, 47-vjeçari, pasi ishte ndarë nga bashkëshortja, i kishte dorëzuar asaj dhurata të Pashkëve. Më pas, ai dyshohet se kishte qëlluar tri herë drejt saj me një pistoletë të tipit Beretta.
Pas të shtënave, ai thuhet se e kishte goditur rreth 40 herë në pjesën e sipërme të trupit me një kaçavidë, derisa 38-vjeçarja kishte humbur ndjenjat. Më pas, ai e kishte tërhequr trupin e saj në kopsht dhe e kishte fshehur nën mbeturinat e kopshtit, përcjell Telegrafi.
Raporti psikiatrik: I dyshuari besonte se gruaja ishte shtrigë
Sipas raportimit, edhe gjatë qëndrimit në burg, 47-vjeçari vazhdimisht fantazonte për magjinë e zezë dhe demonët e errët.
Në një raport plotësues psikiatrik, të siguruar së fundmi, ai është vlerësuar si person psikotik dhe që nuk konsiderohet penalisht përgjegjës.
Ai dyshohet se besonte se bashkëshortja e tij ishte shtrigë, ndërsa zyrtarët e burgut i përshkruante si “njerëz shpellash që përgatiteshin për ferr”./Telegrafi/


































