Një incident i rëndë me armë zjarri është raportuar në Uashington DC, në një zonë pranë Shtëpisë së Bardhë, ku disa persona kanë mbetur të plagosur.
Sipas raportimeve të Sky News, të shtënat janë regjistruar në zonën e Logan Circle, ndërsa autoritetet amerikane kanë angazhuar forca të shumta policore në vendngjarje.
Raportimet fillestare flisnin për katër persona të plagosur, ndërsa informacionet e mëvonshme ngritën numrin në pesë.
Policia ka bërë thirrje për shmangien e zonës dhe u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë në ambiente të sigurta. Gjithashtu, disa shkolla pranë vendit të ngjarjes janë vendosur në masa izolimi.
Sipas informacioneve të publikuara, një person i dyshuar mund të jetë barrikaduar brenda një palestre, ndërsa forcat e rendit kanë vijuar ndërhyrjen.
Deri në momentin e raportimeve, motivet e ngjarjes dhe gjendja shëndetësore e të gjithë të plagosurve nuk ishin bërë plotësisht të qarta.
Autoritetet amerikane vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.

