Pesë persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Washington të SHBA-së, në një zonë vetëm rreth 1.5 kilometra larg Shtëpisë së Bardhë. Ngjarja ndodhi në lagjen Logan Circle, ku një person i armatosur hapi zjarr në një palestër dhe më pas u  brenda një apartamenti, duke qëlluar edhe në drejtim të efektivëve të policisë.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, pas të shtënave i dyshuari lëvizi në disa zona të lagjes, ku dyshohet se shkaktoi edhe zjarre, përpara se të futej në një apartament në katin e shtatë të një pallati. Prej aty, ai qëlloi me armë përmes derës në drejtim të forcave speciale që kishin rrethuar ndërtesën.

Policia e ka cilësuar situatën si një incident me autor të armatosur ende aktiv dhe u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda banesave, ndërsa qytetarëve të tjerë u është kërkuar të shmangin zonën. Dhjetëra automjete policie dhe shërbimesh emergjence kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa një pjesë e madhe e zonës është izoluar.

Për shkak të situatës, edhe shkollat pranë vendit të ngjarjes u vendosën në izolim, ndërsa disa rrugë u bllokuan për qarkullimin.

Në operacion janë angazhuar edhe agjentë federalë të Byrosë për Alkoolin, Duhanin, Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët (ATF), si dhe FBI-ja, në mbështetje të policisë lokale.

Të shtënat ndodhën në një zonë që ndodhet vetëm pak minuta larg rezidencës presidenciale, ku pas incidentit është shtuar vëmendja ndaj masave të sigurisë. Sipas raportimeve fillestare, në momentin e publikimit të lajmit, i dyshuari nuk ishte arrestuar dhe operacioni policor vijonte.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur motivin e të shtënave dhe gjendjen shëndetësore të të plagosurve ndërkohë që vijojnë hetimet dhe operacioni për kapjen e tij.