DURRËS – Banorët e fshatit Rrushkull, në Njësinë Administrative Sukth protestuan në qendër të fshatit për gjendjen e rrugës dhe mënyrën se si po zbatohet projekti i bashkisë për rikonstruksionin e saj.
Sipas tyre, rrjeti i kanalizimeve për shkarkimin e ujërave të shiut nuk është lidhur me rrugicat e lagjeve, çka do të thotë se ato mund të përmbyten sërish.
Një tjetër kundërshtim lidhet me sipërfaqen që do të asfaltohet.
“Na është premtuar asfaltimi i 6 500 metrave katrorë, që do të mbulonin të gjithë gjatësinë e rrugës me gjerësi 5 metra. Por projekti është ndryshuar dhe tashmë parashikohet asfaltimi i vetëm 1 500 metrave katrorë, duke e ngushtuar rrugën në 3 metra”, tha një protestues.
Në shenje proteste, banorët kanë bllokuar punimet, pasi e konsiderojnë këtë ndërhyrje të pamjaftueshme, madje dhe të rrezikshme për qarkullimin.
Ata kërkojnë zbatimin e projektit sipas parashikimeve fillestare, duke paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga bashkia e Durrësit, do të bllokojnë autostradën.
Rrushkulli ndodhet pak minuta larg bregdetit dhe ka potencial për zhvillimin e turizmit por banorët thonë se mungesa e infrastrukturës rrugore i ka penalizuar për 30 vite.
Tashmë që po bëhen investime, ata kërkojnë reahabilitimin e gjithë zones, me rrugë të gjera dhe trotuare.
Sakaq, në faqen e Bashkisë së Durrësit, shihet se tenderi është shpallur në shtator të këtij viti, me një fond limit prej rreth 8.3 milionë lekësh pa TVSH.
Sipas dokumenteve të prokurimit, punimet parashikojnë ndërhyrje në trupin e rrugës, mbushje me çakëll dhe gurë, si dhe përgatitjen e sipërfaqes ekzistuese për asfaltim.
Afati i përcaktuar për punimet është 30 ditë, ndërsa kompania fituese duhet të garantojë mbulimin e defekteve për dy vite.
Megjithatë, dokumenti i specifikimeve teknike nuk përcakton sipërfaqen e përgjithshme që do të asfaltohet apo gjerësinë e rrugës.








Komente
Komento