Jugosllav Gashiq, kandidat i Listës Studentore në Serbi, ka bërë të qartë se ndryshimi politik në Beograd nuk nënkupton ndryshim të qëndrimit ndaj Kosovës.

Ai ka deklaruar se Lista Studentore do ta respektojë Kushtetutën e Serbisë edhe në raport me Kosovën, duke theksuar se nuk i konsideron të rëndësishme deklaratat e autoriteteve në Prishtinë.


Lista Studentore në Serbi, e cila u paraqit si alternativë politike ndaj pushtetit të Aleksandar Vuçiqit dhe e kundërshton bashkëpunimin me Listën Serbe në Kosovë, duket se nuk ka ndërmend të ndryshojë qasjen tradicionale të Beogradit ndaj statusit të Kosovës.

Këtë e ka bërë të qartë kandidati i kësaj liste, Jugosllav Gashiq, në një intervistë për Radio Televizionin e Vojvodinës, ku ka folur për vizitën e delegacionit të studentëve dhe kandidatëve të kësaj liste në Kosovë, raportet me Listën Serbe dhe të ardhmen e politikës së Serbisë ndaj Kosovës.

Gashiq, i cili është profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, që funksionon në sistemin e Serbisë në Mitrovicën e Veriut, ka deklaruar se Lista Studentore nuk do të heqë dorë nga programi i saj për Kosovën, i cili bazohet në respektimin e Kushtetutës së Serbisë.

Madje, ai ka bërë të ditur se qëndrimi i tyre ndaj Kosovës është përcaktuar qartë dhe nuk do të ndryshojë pas marrjes së pushtetit në Beograd.

“Pozicioni dhe marrëdhënia ndaj provincës sonë jugore është e tillë që përcaktohet qartë nga lëvizja studentore, dhe do të ishte mjaft e pavlerë për ne të zbatonim diçka në fushatën parazgjedhore dhe pastaj të hiqnim dorë nga gjëra të tilla”, ka deklaruar Gashiq.

Në një tjetër moment të intervistës, kur është pyetur për realitetin e Kosovës si shtet i pavarur dhe për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti në Paris, Gashiq ka refuzuar ta konsiderojë këtë argument si pikënisje për ndryshimin e politikës së Beogradit.

“Ne nuk i marrim si të rëndësishme deklaratat e tilla të autoriteteve të përkohshme në Prishtinë”, ka thënë ai.

Kushtetuta e Serbisë, baza e politikës së tyre për Kosovën

Gashiq ka insistuar se Lista Studentore do ta zhvendosë fokusin te Kushtetuta e Serbisë, duke kundërshtuar atë që e konsideron si trajtim të pabarabartë të marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tij, Serbia i ka përmbushur obligimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit, ndërsa Prishtina nuk ka bërë të njëjtën gjë.

“E para ende. Kjo është e vërtetë. Ne i kemi përmbushur të gjitha. Dhe çfarë nuk përmbushën ata? Epo, ata nuk bënë pothuajse asgjë”, ka pretenduar Gashiq.

I pyetur për kërkesën e Kurtit që Serbia të heqë dorë nga fushata kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe nga kundërshtimi i anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, ai nuk ka dhënë asnjë sinjal për ndryshim të kësaj politike.

Përkundrazi, deklaratat e tij tregojnë se Lista Studentore synon të vazhdojë qëndrimin tradicional të Beogradit për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ne e dimë se çfarë do të bëjmë”, ka thënë ai, duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit Kurti.

Në këtë mënyrë, ndonëse Lista Studentore e paraqet veten si forcë që synon ta ndryshojë Serbinë pas periudhës së qeverisjes së Vuçiqit, në raport me Kosovën nuk ka paralajmëruar ndonjë ndryshim thelbësor.

Kundër Listës Serbe, por jo kundër politikës së saj ndaj Kosovës

Një pjesë e konsiderueshme e intervistës iu kushtua Listës Serbe, për të cilën Gashiq ka përdorur gjuhë jashtëzakonisht të ashpër.

Ai ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi politik me këtë subjekt, të cilin e ka cilësuar si të lidhur me interesa klienteliste dhe me pushtetin e deritanishëm të SNS-së së Vuçiqit.

“A e dini se çfarë është Lista Serbe? Lista Serbe është një grup interesash palaqësh-klientelist, i përbërë nga njerëz pa kurriz, kameleonë, makiavelianë dhe oportunistë. Nuk ka bashkëpunim me njerëz të tillë”, ka deklaruar Gashiq.

Ai ka shtuar se Lista Serbe është përgjegjëse për pozitën në të cilën ndodhet komuniteti serb në Kosovë.

“Ky grup është fajtor për pozitën në të cilën ndodhet kombi ynë”, ka thënë ai.

Megjithatë, pavarësisht distancimit nga Lista Serbe, deklaratat e Gashiqit nuk tregojnë ndonjë shkëputje nga politika e Beogradit sa i përket pretendimeve kushtetuese dhe territoriale ndaj Kosovës.

Madje, në intervistë ai ka bërë të ditur se Lista Studentore nuk do të ketë komunikim politik me Listën Serbe, por udhëheqësit e rinj të institucioneve lokale serbe do të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e saj në nivel lokal.

Sipas tij, ky bashkëpunim do të bëhet në interes të komunitetit serb, ndërsa Lista Studentore do të angazhohet për ndryshimin e kuadrove të Listës Serbe në ciklet e ardhshme zgjedhore.

Dialog me ndërkombëtarët për ruajtjen e institucioneve paralele

Gashiq ka folur edhe për të ardhmen e institucioneve që funksionojnë në Kosovë sipas sistemit të Serbisë, përfshirë universitetin, institucionet shëndetësore dhe Kishën Ortodokse Serbe.

Ai ka paralajmëruar se Lista Studentore do të angazhohet për ruajtjen e këtyre strukturave dhe se për këtë çështje do të kërkojë bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare.

“Do të duhet të vazhdojmë dialogun në kontekstin e parandalimit të disa efekteve negative që qeveria e përkohshme në Prishtinë mund të marrë për çështjen e institucioneve të mbetura që funksionojnë në territorin e Kosovës dhe Metohisë, të cilat janë institucionet arsimore dhe shëndetësore dhe kisha”, ka deklaruar ai.

Gashiq ka shtuar se synimi i tyre është të gjejnë zgjidhje që do të mundësonin vazhdimin e funksionimit të këtyre institucioneve në sistemin që dëshiron Serbia.

Ai ka kundërshtuar gjithashtu zbatimin e Ligjit për të Huajt në Kosovë, duke pretenduar se ai do të prekë drejtpërdrejt stafin akademik dhe studentët e Universitetit të Prishtinës që funksionon në Mitrovicën e Veriut.

Sipas tij, kjo paraqet një sfidë serioze për institucionet arsimore serbe në Kosovë.

“Nuk do të merremi me realitetin që na kujton Prishtina”

Në intervistë, Gashiq është pyetur drejtpërdrejt se si do të veprojë Serbia përballë argumentit të bashkësisë ndërkombëtare se duhet të respektohet realiteti në terren, përkatësisht se Serbia nuk është e pranishme në Kosovë që nga viti 1999.

Ai nuk ka dhënë ndonjë përgjigje që do të sinjalizonte gatishmëri për ta pranuar këtë realitet politik.

Përkundrazi, ai ka argumentuar se edhe Kushtetuta e Serbisë është një realitet që duhet të merret parasysh.

“Kushtetuta e Serbisë është gjithashtu një realitet. Vetëm se ne do ta zhvendosim atë fokus te Kushtetuta e Serbisë”, ka thënë Gashiq.

Kjo deklaratë është një prej sinjaleve më të qarta se Lista Studentore nuk synon të ndryshojë qasjen kushtetuese të Serbisë ndaj Kosovës, pavarësisht ndryshimit të mundshëm të pushtetit në Beograd.

Ndërkohë, në fillim të intervistës, Gashiq e ka paraqitur fitoren e Listës Studentore si fitore të vlerave demokratike, të së vërtetës, drejtësisë dhe respektimit të ligjit, duke pretenduar se lëvizja e tyre synon ta shpëtojë Serbinë nga shkatërrimi.

Ai ka thënë se pret përgjegjësi për veprimet e përfaqësuesve të Listës Serbe, duke paralajmëruar se disa prej tyre mund të përballen me përgjegjësi penale.

Në fund, Gashiq ka deklaruar se frika e tij e vetme është që Lista Studentore të mos e tradhtojë besimin e qytetarëve që e kanë votuar.

“Kam frikë se do ta tradhtojmë aksidentalisht besimin e popullit”, ka thënë ai.

Kështu, deklaratat e kandidatit të Listës Studentore nxjerrin në pah një dallim të qartë mes qëndrimit ndaj pushtetit të Vuçiqit dhe qëndrimit ndaj Kosovës: kundërshtim të Listës Serbe dhe të mënyrës së qeverisjes së deritanishme në Beograd, por vazhdimësi të politikës së mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës dhe të pretendimeve të Serbisë mbi të./Telegrafi.