Që prej vitit 1978, ceremonitë e nderimit të Kennedy Center kanë qenë një ngjarje e rëndësishme në kalendarin shoqëror të Uashingtonit. Të ftuarit në mbrëmjen gala që zhvillohet çdo dhjetor shijonin pritjen, darkën dhe mundësinë për të parë nga afër personalitetet e nderuara.
Ndër vite, mes tyre kanë qenë Fred Astaire, Ella Fitzgerald, Billy Crystal dhe Queen Latifah. Biletat ishin shumë të kërkuara dhe donatorët e nivelit të lartë kishin përparësi në blerjen e tyre, të cilat zakonisht shpërndaheshin në fillim të verës.
Ceremonia e këtij viti e Kennedy Center Honors do të zhvillohet më 7 dhjetor në Capital One Arena të Uashingtonit. Në këtë aktivitet do të nderohen kompozitori Paul Anka, producenti muzikor David Foster, aktori Andy Garcia, dramaturgu David Mamet dhe këngëtarja e muzikës country Barbara Mandrell.
Megjithatë, deri më 11 nëntor, në faqen e institucionit gjendej vetëm një formular për të marrë informacion mbi mënyrën e blerjes së biletave. Kennedy Center nuk iu përgjigj pyetjeve të NPR-së se kur dhe në çfarë mënyre do të bëhen të disponueshme ato.
Sipas punonjësve aktualë dhe ish-punonjësve të Kennedy Center, vonesa lidhet me vendimin e institucionit për të ndryshuar platformën e shitjes së biletave. Ata kërkuan të mbeteshin anonimë, nga frika e pasojave dhe për të mbrojtur mundësinë e vazhdimit të punës në administrimin e institucioneve artistike.
Për dekada me radhë, Kennedy Center ka përdorur platformën jofitimprurëse Tessitura për menaxhimin e biletave. Por tashmë institucioni planifikon të bashkëpunojë me gjigantin e shitjes së biletave Ticketmaster.
Gjatë periudhës kur po negociohej kjo marrëveshje, presidenti i atëhershëm i Kennedy Center, Richard Grenell, paguhej si anëtar i bordit të kompanisë mëmë të Ticketmaster, Live Nation.
Ky ndryshim vjen në një periudhë trazirash të vazhdueshme në institucion, përfshirë edhe një proces gjyqësor të profilit të lartë në nivel federal, lidhur me dëshirën e presidentit Donald Trump për t’i shtuar emrin e tij institucionit.
Grenell punonte në Kennedy Center ndërkohë që paguhej nga Live Nation
Grenell u emërua president i Kennedy Center në shkurt të vitit 2025, kur Trump mori detyrën e kryetarit të institucionit. Disa muaj më vonë, në maj, ai u emërua anëtar i bordit të Live Nation, për të cilin përfitonte pagë dhe aksione me një vlerë dukshëm më të lartë se pagesa që merrte për drejtimin e Kennedy Center.
Sipas dokumenteve më të fundit që Live Nation ka dorëzuar pranë Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë dhe Bursave (SEC), Grenell u pagua 260 205 dollarë për punën e tij në bordin e kompanisë gjatë vitit 2025.
Dokumente të tjera të depozituara pranë SEC tregojnë se Grenell mori gjithashtu 102 aksione të Live Nation kur iu bashkua bordit të kompanisë, me një vlerë prej rreth 14 200 dollarësh në atë kohë.
Ndërkohë, deklarimet më të fundit tatimore të Kennedy Center tregojnë se Grenell nuk është paguar për detyrën e presidentit të institucionit.
Kennedy Center refuzoi të komentojë mbi pozicionet e njëkohshme të Grenellit në institucionin e artit dhe në kompaninë mëmë të Ticketmaster, si dhe mbi interesat e tij financiare në Live Nation dhe Ticketmaster. Edhe përpjekjet e shumta të NPR-së për të kontaktuar Grenellin nuk morën përgjigje.
Richard Briffault, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit Columbia, i specializuar në etikën qeveritare, tha se punësimi i Grenellit në Kennedy Center, ndërkohë që ishte anëtar bordi i Live Nation dhe kishte përgjegjësi fiduciare ndaj të dy institucioneve, do të ngrinte zakonisht shqetësime për konflikt interesi.
“Ky është fjalë për fjalë një konflikt interesi. Nëse ke detyrimin e besnikërisë ndaj një institucioni ku mban një pozicion drejtues, nëse je anëtar i bordit dhe në të njëjtën kohë ke një interes financiar në një kompani tjetër që bën biznes me institucionin ku ti je pjesë e bordit dhe përfiton prej këtij bashkëpunimi, atëherë ky është një problem”, tha Briffault.
Zëdhënësi i Kennedy Center, PJ Elliott, deklaroi se diskutimet për kalimin e sistemit të biletave te Ticketmaster kishin nisur që në vitin 2024, gjatë administratës së Joe Biden dhe përpara emërimit të Grenellit në krye të institucionit.
Elliott nuk pranoi të tregonte se kur do të realizohej ndryshimi dhe as arsyen pse institucioni po ndërron platformën e shitjes së biletave. Ai gjithashtu nuk iu përgjigj pyetjeve të NPR-së për punën e Grenellit në bordin e Live Nation dhe konfliktin e mundshëm të interesit.
Në vend të kësaj, Elliott shkroi:
“Qendra filloi të vlerësonte Ticketmaster në pranverën e vitit 2024 dhe arriti në përfundimin se e kishte tejkaluar kapacitetin e sistemit të mëparshëm të biletave. Marrëveshja pasoi një proces standard të shqyrtimit të prokurimit.”
Megjithatë, një tjetër punonjës aktual i nivelit të lartë dhe një ish-punonjës i institucionit, të cilët gjithashtu kërkuan të mos identifikoheshin nga frika e hakmarrjes, thanë se Ticketmaster nuk ishte marrë kurrë seriozisht në konsideratë nga drejtuesit e Kennedy Center në vitin 2024.
Në një mesazh dërguar NPR-së, ish-drejtuesi i lartë shkroi:
“Unë isha kundër përfshirjes së Ticketmaster në Kennedy Center. Ne kishim një staf shumë të mirë për shitjen e biletave dhe një sistem, Tessitura, që na jepte kapacitetin dhe ‘inteligjencën’ për të menaxhuar të dhënat dhe klientët tanë. Ticketmaster mund të thoshte se po përpiqej të bisedonte me ne, por ata absolutisht nuk po negocionin me ne.”
Në një deklaratë për NPR-në, Ticketmaster tha:
“Ne e mohojmë kategorikisht që dikush të ketë ushtruar presion mbi Kennedy Center për të zgjedhur Ticketmaster. Në fakt, stafi i Kennedy Center që merrej me biletat kontaktoi për herë të parë ekipin tonë në shkurt të vitit 2024 dhe pothuajse menjëherë shprehu dëshirën për të kaluar te Ticketmaster, për shkak të kufizimeve të sistemit ekzistues të biletave.”
Pse sistemet e shitjes së biletave janë të rëndësishme për institucionet jofitimprurëse të artit
Shumë institucione të mëdha të artit dhe të shfaqjeve përdorin Tessitura-n, një platformë jofitimprurëse e zhvilluar nga Metropolitan Opera në vitin 1995. Kennedy Center ishte ndër përdoruesit e saj të parë.
Steve Jacobson, themeluesi i kompanisë këshillimore JCA, e cila specializohet në ndihmën ndaj institucioneve jofitimprurëse të artit për optimizimin e të ardhurave, tha se Ticketmaster mund të jetë shumë i përshtatshëm për aktivitetet me volum të lartë, si shfaqjet në arena dhe muzetë.
“Por është një sistem njëdimensional dhe është projektuar kryesisht për organizatorët komercialë të aktiviteteve”, tha ai.
Sipas Jacobson, Tessitura u përshtatet më mirë nevojave të institucioneve jofitimprurëse dhe aktualisht përdoret nga më shumë se 750 institucione të artit dhe kulturës në të gjithë botën.
“Është një produkt i integruar, i cili nuk përfshin vetëm shitjen e biletave, por ndihmon gjithashtu organizatat jofitimprurëse të artit të menaxhojnë mbledhjen e fondeve, anëtarësimet, shërbimin ndaj klientit dhe edukimin. Është një sistem që i përfshin të gjitha në një vend”, shpjegoi ai.
Jacobson tha se zëvendësimi i të gjitha këtyre funksioneve me sisteme të tjera do të ishte një proces i kushtueshëm.
Ai shtoi se një sistem i tillë është veçanërisht i rëndësishëm për një institucion jofitimprurës të artit, i cili mbështetet në një kombinim të të ardhurave të siguruara vetë, përfshirë shitjen e biletave dhe donacionet, qofshin këto nga qeveria, kompanitë apo individët.
“Të gjitha këto t’i kesh në një vend, ku mund të menaxhosh komunikimin me publikun dhe të kuptosh se cilët janë vizitorët dhe mbështetësit e tu, është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Vendimet për biletat merren në një periudhë ndryshimesh në drejtimin e Kennedy Center
Matt Floca zëvendësoi Grenellin në postin e presidentit të Kennedy Center, pasi ky i fundit u largua në muajin mars. Floca kishte shërbyer më parë si drejtues i sektorit të ambienteve dhe infrastrukturës së institucionit dhe nuk kishte përvojë në drejtimin artistik, mbledhjen e fondeve apo administrimin e institucioneve të artit, ndryshe nga drejtuesit e institucioneve të ngjashme jofitimprurëse në SHBA.
Për këtë arsye, Floca u mbështet te personi që më vonë do të emërohej drejtor artistik i institucionit.
Muajin e kaluar, Kennedy Center emëroi Rick Canny-n si drejtorin e ri artistik. Canny është një agjent i njohur artistësh, me bazë prej kohësh në Kaliforni, i specializuar në bashkëpunimin me grupe rok të viteve 1980 dhe 1990, si ZZ Top dhe ish-bateristin e Mötley Crüe, Tommy Lee.
Canny kishte punuar si konsulent për Kennedy Center që prej prillit 2025, duke shërbyer si drejtues krijues për ceremoninë Kennedy Center Honors dhe çmimin Mark Twain.
Në një email që Floca u dërgoi punonjësve të Kennedy Center muajin e kaluar, ai shkroi:
“Rick do të më këshillojë mua dhe ekipin më të gjerë drejtues për strategjinë artistike, praktikat e biznesit, prezantimin e shfaqjeve dhe përzgjedhjen e artistëve, modelet e shitjes së biletave dhe përcaktimit të çmimeve, mundësitë mediatike dhe sponsorizimet e programeve.”
NPR ka siguruar një email që Canny i kishte dërguar në muajin mars drejtoreshës së atëhershme financiare të institucionit, Donna Arduin Kauranen, kur ai ishte ende konsulent i Kennedy Center.
Në këtë email, Canny propozonte të mbikëqyrte jo vetëm programacionin, por edhe marketingun, shitjen e biletave dhe marrëdhëniet me publikun.
“Unë punoj në të gjitha këto fusha. Por duhet të më jepet autoriteti për të zbatuar të gjitha planet”, shkruante ai.
Canny nuk iu përgjigj përpjekjeve të shumta të NPR-së për ta kontaktuar.
Në të njëjtin email, ai i tha Kauranen se ishte kryesisht përgjegjës për kalimin e institucionit te Ticketmaster.
“Kam dhënë këshilla për këtë çështje prej gati një viti. Kam përcaktuar shumë ose shumicën e kushteve të marrëveshjes dhe po shqyrtoj versionin përfundimtar të saj sonte”, shkruante Canny.
Ish-punonjësit dhe punonjësit aktualë të Kennedy Center që folën për NPR-në thanë se një marrëveshje e tillë duhej të ishte përgjegjësi e presidentit të institucionit, por tashmë po vendoset nga drejtori artistik, Canny.
Një pjesë e vonesës në zbatimin e kalimit te Ticketmaster lidhet edhe me punonjësit e biletarisë që janë të organizuar në sindikatë.
Në emailin që i dërgoi Kauranen në muajin mars, Canny fajësoi sindikatën International Alliance of Theatrical Stage Employees (IATSE) për pengimin e vizionit të tij të ri.
“Sindikatat u bënë pengesë dhe ata (Ticketmaster) nuk mund të fitonin më para me ne. Me kujdes dhe kohë, ata mund të rikthehen”, shkroi ai.
Në fillim të kësaj vjeshte, Kennedy Center largoi nga puna anëtarët e sindikatës IATSE që punonin në biletari, pasi ndërtesa kryesore e institucionit u mbyll për shkak të rinovimit dyvjeçar të planifikuar nga Trump.
Ticketmaster përballet prej kohësh me kritika për tarifat dhe dominimin e tregut
Ticketmaster ka qenë prej kohësh një kompani që fansat e muzikës dhe të aktiviteteve live e kritikojnë shpesh. Publiku dhe organizatat mbikëqyrëse ankohen vazhdimisht për tarifat e larta dhe të fshehura, si dhe për dominimin e kompanisë në tregun e ambienteve ku zhvillohen aktivitetet live.
Në fillim të këtij viti, Live Nation kontrollonte rreth 80% të shitjeve kryesore të biletave për koncerte në SHBA, si dhe një numër gjithnjë e më të madh të rishitjeve të biletave.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti në fillim të këtij viti një padi federale antitrust kundër Ticketmaster dhe kompanisë së saj mëmë, Live Nation. Çështja u zgjidh në muajin mars për shumën prej 280 milionë dollarësh.
Një padi e paraqitur në vitin 2024 nga Departamenti i Drejtësisë, Distrikti i Kolumbias dhe 39 shtete akuzonte Live Nation dhe Ticketmaster se përdornin në mënyrë të padrejtë fuqinë e tyre në organizimin e koncerteve, menaxhimin e artistëve, administrimin e ambienteve dhe shërbimet e shitjes së biletave, për të përjashtuar konkurrentët nga tregu.
Prokurorët e përgjithshëm të 33 shteteve dhe të Distriktit të Kolumbias e kundërshtuan marrëveshjen e arritur nga Departamenti i Drejtësisë dhe vendosën të vijonin një proces të veçantë gjyqësor federal.
Në muajin prill, një juri arriti në përfundimin se Live Nation dhe Ticketmaster kishin vepruar si monopol, duke dëmtuar konsumatorët dhe duke u marrë blerësve të biletave më shumë para se ç’duhej.
Përpara këtij vendimi, në deklarata të mëparshme për NPR-në, Live Nation kishte mohuar pretendimet se operonte si monopol, duke argumentuar se konkurrenca në treg ishte më e madhe se kurrë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NPR.org