Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshimet në ligjin për donacionet dhe sponsorizimet, i cili synon të rrisë financimin e sportit, artit dhe kulturës përmes mbështetjes së biznesit.
Nisma parashikon ndryshimin e nenit 5 dhe shtimin e dy neneve të reja, 5/1 dhe 5/2, në ligjin ekzistues, të cilat përcaktojnë mekanizmat e përfitimit nga lehtësitë fiskale, dokumentacionin e nevojshëm dhe të drejtën e sponsorizuesve për të kundërshtuar vendimet e administratës tatimore.
Sipas propozimit, për subjektet, persona fizikë ose juridikë, që paguajnë tatim mbi fitimin, shuma e sponsorizuar do të njihet si shpenzim i zbritshëm, në masën e parashikuar në ligj. Ndërkohë, sponsorizimet në art, kulturë dhe sport do të përfitojnë një regjim të posaçëm tatimor.
Konkretisht, neni i ri 5/1 parashikon që shuma e sponsorizuar për veprimtari publike në këto tri fusha të zbritet drejtpërdrejt nga detyrimi tatimor që i paguhet administratës tatimore, deri në kufirin maksimal prej 30% të tatimit mbi fitimin të vitit paraardhës fiskal.
Lehtësia do të shtrihet edhe për sponsorizimet në natyrë, me një mekanizëm të veçantë zbritjeje, deri në 30% të vlerës së tatimit mbi fitimin për t’u paguar, sipas rezultatit financiar të vitit pasardhës. Përfitimi do të kushtëzohet nga hartimi, depozitimi dhe miratimi i pasqyrave financiare, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Një tjetër element i parashikuar në projektamendament është trajtimi tatimor i të ardhurave nga sponsorizimi për përfituesit. Sipas propozimit, këto të ardhura do të jenë të patatueshme dhe nuk do të përfshihen në rezultatin financiar për efekt të klasifikimit të tatimpaguesit sipas shkallëve tatimore gjatë kohëzgjatjes së kontratës.
Masat dhe kriteret konkrete për përfitimin e lehtësive do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për kulturën dhe sportin, duke respektuar kufirin maksimal prej 30% të përcaktuar në ligj.
Parashikohet e drejta e ankimit për sponsorizuesit
Projektamendamenti sjell edhe një mekanizëm të ri për mbrojtjen e të drejtave të sponsorizuesve. Neni 5/2 parashikon që, në rast se administrata tatimore refuzon dhënien e lehtësive, sponsorizuesi të ketë të drejtën e ankimit administrativ pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, brenda 30 ditëve nga komunikimi i vendimit.
Gjithashtu, parashikohet mundësia e ndjekjes së procedurave të mëtejshme të ankimit administrativ dhe gjyqësor, sipas legjislacionit përkatës.
Përfitimi nga skema do të kushtëzohet edhe nga dokumentimi i sponsorizimit. Subjektet sponsorizuese do të duhet të dorëzojnë pranë organeve tatimore kopjen e kontratës së sponsorizimit, raportin mbi përdorimin e shumës së sponsorizuar dhe dokumentacionin tjetër provues të kërkuar nga legjislacioni tatimor.
Diferencimi mes sektorëve dhe standardet evropiane
Në relacionin shpjegues theksohet se regjimi i posaçëm për artin, kulturën dhe sportin nuk synon të kufizojë mundësinë e organizatave dhe subjekteve që veprojnë në fusha të tjera të interesit publik për të përfituar sponsorizime sipas rregullave të përgjithshme të ligjit.
Në këtë kuadër përmenden edhe fusha si demokracia, shteti i së drejtës, mirëqeverisja, transparenca dhe llogaridhënia publike.
Relacioni argumenton se diferencimi tatimor mbështetet në karakteristikat specifike të artit, kulturës dhe sportit, si dhe në kontributin e tyre në trashëgiminë kulturore, edukimin, përfshirjen sociale, zhvillimin e të rinjve dhe promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Nisma i referohet gjithashtu rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe udhëzimeve të përbashkëta të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për lirinë e organizimit, sipas të cilave shtetet duhet të garantojnë një mjedis ligjor dhe fiskal mundësues për organizatat e shoqërisë civile.
Një nga parimet e theksuara në relacion është se lehtësitë tatimore duhet të zbatohen pa diskriminim ndaj subjekteve që plotësojnë të njëjtat kushte. Qëndrimet politike, veprimtaritë advokuese, monitoruese apo kritike dhe marrëdhëniet e përfituesve me autoritetet publike nuk duhet të shërbejnë si kritere për dhënien ose refuzimin e përfitimit.
Përmes këtyre ndryshimeve synohet krijimi i një mekanizmi më nxitës për financimin privat të veprimtarive me interes publik, diversifikimi i burimeve të financimit dhe rritja e sigurisë juridike për sponsorizuesit dhe përfituesit.
Ministri Blendi Gonxhja, thekson se ndryshimet parashikojnë deri në 2 miliardë lekë në vit për këta sektorë, përtej buxhetit të shtetit.
Sipas ministrit, projektligji parashikon që deri në 30% e tatimit mbi fitimin të mund të zbritet drejtpërdrejt për sponsorizimet, sipas dispozitave të reja.
Një tjetër ndryshim është krijimi i regjistrit elektronik kombëtar të sponsorizimeve, së bashku me mekanizma kontrolli për të garantuar më shumë transparencë.
Gonxhja e cilësoi nismën si “një kapitull të ri për sportin, artin dhe kulturën shqiptare”, duke theksuar se synohet krijimi i një modeli të ri bashkëpunimi mes shtetit dhe biznesit, me më shumë mundësi financimi për talentet e reja. Projektligji është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe pritet që të kalojë edhe në Kuvend, për të hyrë në fuqi.