Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, ka marrë vendimet e fundit për sfidën e sotme ndaj Finlandës në Ligën e Kombeve. Nga 27 futbollistët e grumbulluar, katër prej tyre do ta ndjekin ndeshjen nga tribuna, pasi nuk janë përfshirë në listën e lojtarëve të gatshëm.
Bëhet fjalë për Samuele Sinën, Ysni Ismailin, Feta Fetain dhe Klevi Qefalian. Këta të fundit kanë qenë ndër futbollistët që kanë pasur më pak hapësira edhe në ndeshjet e shtatorit dhe tetorit.
Për Ysni Ismailin, ky grumbullim përfaqësonte një mundësi të veçantë, pasi ishte risia e listës së Maranit, por debutimi i tij me fanellën kuqezi do të duhet të presë ende.
Ndërkohë, një nga zgjedhjet që bie më shumë në sy është ajo e Elseid Hysajt. Mbrojtësi shkodran vazhdon të gëzojë besimin e trajnerit, pavarësisht se prej disa muajsh është pa skuadër. Hysaj mbetet alternativa e vetme e mirëfilltë për krahun e djathtë të mbrojtjes në përballjen me Finlandën.
Por problemet për Maranin nuk përfundojnë këtu. Edhe në repartin ofensiv, trajneri nuk ka në dispozicion asnjë specialist të krahut të djathtë.
Jasir Asani, Arbnor Muja dhe Sabah Kerjota mungojnë në planet e teknikut për këtë takim, duke krijuar një situatë jo të zakonshme në atë zonë të fushës.
Kështu, përballë Finlandës, krahu i djathtë duket si një nga dilemat më të mëdha të Kombëtares, si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese.













