Ismaili diskuton me presidenten Shiroka-Pula integrimin financiar të Kosovës në BE dhe anëtarësimin në SEPA

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka zhvilluar një takim me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ku kanë diskutuar zhvillimet në sektorin financiar, reformat institucionale dhe proceset e integrimit të Kosovës në sistemet financiare evropiane.
Në këtë takim, të parin pas marrjes së detyrës nga presidentja Shiroka-Pula, Ismaili ishte i shoqëruar nga zëvendësguvernatorja e BQK-së, Nesrin Shileku-Shala.
Sipas njoftimit të BQK-së, guvernatori Ismaili e uroi presidenten për detyrën dhe e informoi për gjendjen e sektorit financiar, duke vënë në pah treguesit që dëshmojnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar në Kosovë.
Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit financiar për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet financiare dhe sigurimin e vazhdimësisë së financimit të ekonomisë.
Një nga temat kryesore të takimit ishte procesi i aplikimit të Kosovës për përfshirje në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Pas dorëzimit të aplikimit, Ismaili theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe angazhimit diplomatik me partnerët evropianë për avancimin e këtij procesi.
Anëtarësimi në SEPA pritet të mundësojë transfere ndërkufitare në euro me kosto më të ulëta dhe procedura më të lehta, duke përfituar qytetarët që dërgojnë dhe pranojnë para nga jashtë, si dhe bizneset që kryejnë pagesa me partnerët në tregun evropian.
Në takim u diskutua edhe mundësia e përfshirjes së Kosovës në sistemin ndërkombëtar të sigurimit motorik të Kartonit të Gjelbër, si dhe bashkëpunimi me bankat qendrore partnere dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Ndër temat e tjera ishin agjenda legjislative dhe reformat e BQK-së, forcimi i mbikëqyrjes financiare dhe përafrimi i mëtejshëm me standardet e Bashkimit Evropian.
Vëmendje iu kushtua edhe modernizimit të sistemeve të pagesave, përfshirë sistemin e pagesave të shpejta TIPS-K, i cili synon t'u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve kryerjen dhe pranimin e pagesave brenda pak sekondash dhe me kosto më të ulëta.
Po ashtu, guvernatori dhe zëvendësguvernatorja e informuan presidenten për nismat që synojnë zgjerimin e qasjes në financa, veçanërisht për krijimin e mundësive më të mëdha të financimit për gratë ndërmarrëse.
Presidentja Shiroka-Pula, sipas BQK-së, vlerësoi angazhimin dhe agjendën reformuese të këtij institucioni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, në respektim të mandateve dhe pavarësisë kushtetuese të Bankës Qendrore.
Në anën tjetër, Ismaili theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është i rëndësishëm për avancimin e nismave që kanë interes të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.


































