Ligji për Specialen, i miratuar më 6 tetor me 88 vota në Kuvend, u kthye për rishqyrtim nga presidentja Justina Shiroka-Pula, pas kërkesës së PDK-së për ndryshimin e tij.
Çështja ishte sot në vëmendje të Kuvendit pasi më herët u diskutua në Komisionin për Legjislacion.
Nga PDK-ja, Blerta Deliu-Kodra bëri të ditur se është arritur dakordim me Vetëvendosjen që ligji të votohet në formën aktuale, ndërsa ndryshimet të bëhen përmes një nisme të re ligjore.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit, Vigan Qorrolli, tha se Kuvendi ka vetëm dy mundësi: ta rikonfirmojë ligjin në formën e mëparshme ose ta lërë Kosovën pa të. Ndërkaq, AAK-ja kërkoi që menjëherë pas rivotimit të nisë procesi i amendamentimit, sipas procedurave të rregullta.
Kundër kësaj nisme u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila tha se ajo krijon pritje të rreme dhe nuk kontribuon në mbrojtjen e së vërtetës historike të Kosovës dhe luftës çlirimtare.
Ligji u përfshi në rendin e ditës me mocion procedural të PDK-së, i cili mori 79 vota për. Megjithatë, votimi nuk u zhvillua për shkak të mungesës së deputetëve në sallë. Seanca u shty për nesër, në orën 11:00, kur pritet të vendoset fati i Ligjit për Specialen.










