Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka kërkuar që integrimi i Kosovës në NATO të mbetet një prioritet strategjik për Aleancën, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe sigurinë e Europës.
Deklarata u bë gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin për të Ardhmen e Atlantikut të Veriut 2026, që po zhvillohet në Oslo të Norvegjisë, me organizimin e qeverive të Mbretërisë së Bashkuar dhe Norvegjisë.
Nga bordi i aeroplanmbajtëses britanike HMS Prince of Wales, Nufi theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes vendeve aleate, veçanërisht në drejtim të koordinimit për çështjet strategjike dhe sigurisë në të dy anët e Atlantikut.
Gjatë forumit, ministri shqiptar zhvilloi takime me homologun norvegjez, Tore O. Sandvik, si dhe me Nënsekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë e Jashtme britanike, Lord Wood of Anfield.
Në fokus të diskutimeve ishin sfidat e sigurisë euroatlantike dhe nevoja që NATO të ruajë vëmendjen në të gjitha drejtimet strategjike, përfshirë Ballkanin Perëndimor.
“Siguria e Europës nuk përfundon në Veriun e Largët. Ballkani Perëndimor dhe veçanërisht Kosova duhet të mbeten në vëmendjen e Aleancës”, u shpreh Nufi.
Ai nënvizoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ndikonte drejtpërdrejt në forcimin e stabilitetit rajonal dhe parandalimin e konflikteve të mundshme.
“Integrimi i Kosovës në NATO është, sipas nesh, një domosdoshmëri strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal, parandalimin e konflikteve dhe shmangien e rrezikut të hapjes së fronteve të reja të pasigurisë në Europë. Sepse siguria euroatlantike është e pandashme. Dhe një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë një Europë më e sigurt”, deklaroi ministri.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum vjen në kuadër të angazhimit të saj si vend anëtar i NATO-s për të kontribuar në diskutimet strategjike të Aleancës dhe për të forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kolektive.

