Fund abuzimit me borxhet? Qeveria fut në “grep peshkaqenët” e mikrokredivr
Qeveria synon të vendosë kufizime të reja për kompanitë e mikrofinancës dhe subjektet që blejnë e mbledhin kreditë me probleme, duke i ndaluar të ngarkojnë qytetarët dhe bizneset me interesa, komisione dhe penalitete përtej atyre të parashikuara në kontratën fillestare të kredisë.
Ndryshimet janë përfshirë në një projektligj të ri të hartuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, i cili synon të rregullojë më fort veprimtarinë e institucioneve financiare jobankare dhe tregun e kredive me probleme.
Dispozita kryesore është parashikuar në nenin 318 të projektligjit “Për ushtrimin e veprimtarisë së institucioneve të kreditit dhe mbikëqyrjen e kujdesshme të tyre”.
Sipas pikës 3 të këtij neni, kompanitë e licencuara për blerjen dhe mbledhjen e kredive me probleme nuk do të mund të aplikojnë norma interesi, penalitete, komisione, tarifa apo detyrime të tjera financiare më të larta se ato që përcaktohen në marrëveshjen origjinale mes qytetarit dhe institucionit që ka dhënë kredinë.
Në praktikë, kjo do të thotë se nëse një qytetar merr kredi në një bankë dhe më pas detyrimi i tij shitet te një kompani për mbledhjen e borxheve, kjo e fundit nuk mund ta përdorë transferimin e kredisë për të vendosur kosto të reja financiare jashtë kushteve të kontratës fillestare.
Megjithatë, kjo dispozitë nuk nënkupton fshirjen automatike të interesave apo penaliteteve që janë parashikuar në kontratën origjinale. Kufizimi lidhet me pamundësinë e kompanive blerëse për të shtuar detyrime përtej atyre të lejuara nga marrëveshja fillestare.
Kompanitë e borxheve nuk do të japin kredi të reja
Projektligji përcakton edhe kufijtë e aktivitetit të këtyre kompanive. Subjektet që blejnë dhe mbledhin kredi me probleme nuk do të lejohen të ushtrojnë veprimtari të tjera financiare apo tregtare, përveç atyre që lidhen drejtpërdrejt me administrimin dhe rikuperimin e kredive të blera.
Ato do të mund të kërkojnë shlyerjen e detyrimeve, të negociojnë kushte të reja me debitorët, të trajtojnë ankesat dhe të informojnë klientët për pagesat që duhet të kryejnë.
Por nuk do të kenë të drejtë të japin kredi të reja, duke krijuar një ndarje më të qartë mes institucioneve që financojnë qytetarët dhe kompanive që blejnë e rikuperojnë borxhet e papaguara.
Banka e Shqipërisë merr më shumë kompetenca mbikëqyrëse
Një tjetër element i rëndësishëm i projektligjit është forcimi i kontrollit nga Banka e Shqipërisë. Ky institucion do të përcaktojë përmes akteve nënligjore rregullat për administrimin, ristrukturimin dhe rinegocimin e kredive të blera nga kompanitë e specializuara.
Gjithashtu, institucionet financiare jobankare do të detyrohen të garantojnë transparencë për normat e interesit, komisionet, tarifat dhe kushtet kontraktuale, si dhe të respektojnë rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë e klientëve.
Neni 319 parashikon se këto subjekte mund të ushtrojnë aktivitet vetëm pasi të jenë licencuar nga Banka e Shqipërisë. Në procesin e licencimit do të shqyrtohen kapitali, struktura e pronësisë, drejtuesit dhe mekanizmat e kontrollit të brendshëm.
Ndryshimet janë pjesë e reformës më të gjerë të legjislacionit bankar dhe synojnë përafrimin e kuadrit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Për qytetarët dhe bizneset me kredi të papaguara, pika më e rëndësishme mbetet kufizimi i kostove shtesë kur borxhi transferohet nga banka te një kompani tjetër. Nëse projektligji miratohet dhe hyn në fuqi, kompanitë e mbledhjes së borxheve nuk do të mund ta përdorin blerjen e kredive si mundësi për të shumëfishuar detyrimet financiare të debitorëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



