Ekonomia po përballet me një periudhë pasigurie të shtuar, ku presionet për rritje të çmimeve janë shtuar, e në anën tjetër edhe rreziqet për ngadalësim ekonomik janë edhe më shumë prezentë.
Zëvendësdrejtoresha e Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë Rajna Hoxholli thotë se pasiguritë nuk po vijnë vetëm nga tensionet gjeopolitike, por edhe nga protestat në vend që meritojnë vëmendje pasi mund të dëmtojnë turizmin dhe investimet.
“Pasiguria ka ardhur në rritje. Në ambientin e huaj kemi tensionet gjeopolitike, pengesat në zinxhirët e furnizimit global dhe të tregtisë globale, të cilat mund të krijojnë dhe mund të sjellin valë të reja rritje çmimesh të lëndëve bazë, por njëkohësisht dhe mund të dobësojnë aktivitetin e partnerëve tanë tregtarë. Gjithashtu dhe zhvillimet në vend meritojnë vëmendjen e duhur. Tensioni sociale mund të shoqërohen me rritje të pasigurisë e cila mund të ndikojë në frenimin e konsumit të investimeve dhe të aktivitetit turistik”, thekson Rajna Hoxholli, zv. Drejtore e Politikës Monetare.
Banka vlerëson se inflacioni edhe pse mbetet i kontrolluar, do të vijojë të rritet edhe në muajit në vijim, dhe të kthehet në objektiv në 2028-ën.
“Sa i takon inflacionit, presim që ai të qëndrojë në afatin e shkurtër për disa tre mujorë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, i shkaktuar kryesisht nga rritja e çmimeve të lëndëve energjetike dhe të ushqimeve në tregjet ndërkombëtare. Me stabilizimin e këtyre çmimeve, kjo në lidhje me pritjet e tregjeve ndërkombëtare për to, ne presim që inflacioni të ulet gradualisht drejt objektivit tonë 3% gjatë vitit 2028”, thekson Rajna Hoxholli, zv. Drejtore e Politikës Monetare.
Mes këtyre pasigurive dhe inflacionit që po rritet me ritme të përshpejtuara, Banka e Shqipërisë vendosi para pak ditësh të mos ndryshojë politikën monetare, dhe ta lë në 2.5% normën bazë të interesit. Megjithatë Këshilli Mbikëqyrës ka vlerësuar se mund të ketë një ndryshim të normës bazë nëse situata përkeqësohet.