Nga koncertet simfonike në Tiranë te rikthimi i Gëzim Myshketës pas 32 vitesh në Shkodër, skenat shqiptare sjellin muzikë, teatër dhe poezi. Një mbrëmje kushtuar Dritëro Agollit, shfaqja “1984” e Orwell dhe komeditë në Korçë e Elbasan janë disa nga aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër. Rubrika “Ciceron” ju njeh me ngjarjet kulturore të 12 dhe 13 nëntorit në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

1. KONCERT NGA ORKESTRA SIMFONIKE E FORCAVE TË ARMATOSURA
Ansambli i Harqeve i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura do të mbajë një koncert të veçantë nesër, më 13 nëntor, në orën 19:00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në bashkëpunim me këtë institucion, koncerti do të sjellë vepra të kompozitorëve Domenico Cimarosa, Benjamin Britten dhe Antonín Dvořák, me solist në oboe Gëzim Toskaj dhe nën drejtimin e dirigjentit Laert Qazimi.

2. KONCERTI I ORKESTRËS SIMFONIKE TË RTSH-SË NË TIRANË
Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të vijë me një koncert nesër, më 13 nëntor, në orën 19:00, në sallën “Ferdinand Deda” të RTSH-së. Nën drejtimin e dirigjentit Artan Liçaj dhe me pjesëmarrjen e solistëve Lorenc Radovani në violinë dhe Fatma Spahiu në piano, koncerti do të sjellë një program që ndërthur krijimtarinë shqiptare me repertorin klasik botëror. Në program janë “Rapsodi Shqiptare” e Gara Garayev, “Echoes of Spring” e Shpëtim Saraçit, e cila do të prezantohet premierë, si dhe Koncerti për Violinë, Piano dhe Orkestër Harqesh i Felix Mendelssohn Bartholdy.

3. SHKODËR/ “TUKIÇI I MADH”, KONCERT HOMAZH ME GËZIM MYSHKETËN
Koncerti vokal-simfonik “Tukiçi i Madh”, me protagonist tenorin Gëzim Myshketa, mbahet sonte në orën 19:00, në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. I kushtuar 100-vjetorit të lindjes së tenorit të shquar shqiptar Ibrahim Tukiçi, koncerti vjen si një homazh për kontributin dhe trashëgiminë e tij në artin lirik shqiptar. Për Gëzim Myshketën, kjo mbrëmje shënon edhe rikthimin në Shkodër pas 32 vitesh.

4. GJIROKASTËR/ “YLLI PA EMËR” NË SKENËN E TEATRIT “ZIHNI SAKO”
Shfaqja teatrore “Ylli pa emër”, e dramaturgut rumun Mihail Sebastian, do të ngjitet në skenën e Teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër më 13, 14 dhe 15 nëntor, në orën 19:00. Nën regjinë e Erion Hinajt, vepra sjell historinë e një takimi të papritur mes një gruaje të panjohur dhe Marinit, një mësues matematike që sapo ka zbuluar një yll të ri pa emër. Një ndalesë e papritur treni në një stacion të humbur province bëhet pikënisja e një historie dashurie, ku ëndrrat përballen me realitetin. Në kastin e aktorëve janë Aleksandër Kondi, Denada Bixhaku, Lejda Çeli, Kosta Kreci, Gesjon Selfo dhe Erion Hinaj, ndërsa në role të tjera interpretojnë Juli Zholi, Amelia Gozhita, Toni Taçi, Halil Hida dhe Desjan Hoxha. 

5. “GRUA PËR SHPI”, SHFAQJA RIKTHEHET NË TEATRIN E KORÇËS
Shfaqja “Grua për Shpi” rikthehet në Korçë, aty ku nisi rrugëtimi i saj, më 13 nëntor, në orën 18:00, në teatrin “Andon Zako Çajupi”. E shkruar nga Franca Rame dhe me regji të Endri Çelës, vepra trajton përmes humorit, ironisë dhe satirës stereotipet gjinore, pabarazitë, rolin e gruas në shoqëri dhe dhunën me bazë gjinore. Në skenë interpreton aktorja Ina Gjonçi. Hyrja për publikun është falas.

6. “E ZONJA E BUJTINËS”, KOMEDIA E GOLDONIT NË TEATRIN “SKAMPA”
Komedia “E zonja e bujtinës”, e dramaturgut italian Carlo Goldoni, me regji të Kiço Londos, do të vijojë rrugëtimin e saj në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan edhe sonte dhe nesër në orën 19:00, duke sjellë për publikun një nga veprat e njohura të dramaturgjisë klasike botërore.

7. MBRËMJE KUJTIMI PËR DRITËRO AGOLLIN NË QENDRËN “TULLA”
Një mbrëmje kushtuar shkrimtarit Dritëro Agolli do të organizohet më 13 nëntor, në orën 20:00, në “Tulla Culture Center” në Tiranë. “Roots & Rhythm” rikthehet me një edicion special, ku muzika live, poezia dhe kujtimet do të ndërthuren në një homazh për figurën dhe krijimtarinë e shkrimtarit të njohur shqiptar. Në skenë do të jenë Luiza Xhuvani, Vasjan Lami, Gjergj Kaçinari, DJ Fana dhe miqtë e tij, në një mbrëmje që fton publikun të ndajë vargje, histori dhe kujtime në nder të Dritëro Agollit.

8. “1984”, SHFAQJA E MUSTAFIÇ SIPAS VEPRËS SË ORWELL NË TIRANË
Shfaqja “1984”, me regji të Dino Mustafic, vijon në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë sonte, nesër, si dhe më 14 e 15 nëntor, në orën 20:00. E bazuar në romanin e njohur distopik të shkrimtarit George Orwell, vepra trajton temat e pushtetit, kontrollit, mbikëqyrjes dhe lirisë individuale. Përmes një rrëfimi që vë në qendër marrëdhënien mes individit dhe sistemit, shfaqja sjell një reflektim mbi shoqërinë dhe mekanizmat e kontrollit.