BE e shqetësuar për mundësinë e ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale në Kosovë: Nevojë për konsultime paraprake

12/11/2026 18:11

BE-ja ka shprehur shqetësimin për votimin e mundshëm nesër në Kuvendin e Kosovës të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

“BE-ja në Kosovë e merr me shqetësim njoftimin lidhur me votimin e mundshëm nesër në Kuvendin e Kosovës të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ndryshimet ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, në veçanti pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrenë shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre.

Që nga kthimi i ligjit për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës, jemi angazhuar aktivisht për t’ua përcjellë shqetësimet dhe pritshmëritë tona autoriteteve të Kosovës. Kjo përfshin nevojën për konsultime paraprake përpara çdo miratimi të ligjit, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës“, njofton Unioni Europian në Kosovë.

Top Channel