“Në Kohë Reale”/ Beteja e 11-vjeçarit nga Fieri me leuceminë, halla rrëfen sakrificën: Jam vetëm në këtë përballje. Eraldi ka një ëndërr, të rikthehet në shkollë
Historia e Erald Shahut, 11-vjeçarit nga fshati Drizë i Fierit që po lufton me leuceminë, u trajtua gjerësisht në emisionin “Në Kohë Reale” të moderuar nga Anjola Hamzaj.
Përtej betejës së vështirë me sëmundjen, historia e tij është kthyer edhe në një histori solidariteti, ku mësues, nxënës, prindër dhe qytetarë janë bërë bashkë për ta mbështetur në një nga momentet më të vështira të jetës.
Eraldi, nxënës i klasës së pestë dhe një prej nxënësve më të dalluar të shkollës 9-vjeçare “Leonora Bare” në Drizë, prej më shumë se një muaji po përballet me trajtime intensive kundër leucemisë.
Aktualisht ai ndodhet në banesë pas përfundimit të ciklit të dytë të kimioterapisë dhe pret të nisë fazën e tretë të trajtimit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin, halla e tij, Natasha Shahu, e cila kujdeset e vetme për djalin, tregoi gjendjen e Eraldit dhe sfidat e përditshme me të cilat përballet familja.
“Eraldi momentalisht është në shtëpi. Kemi përfunduar kimioterapinë e dytë dhe kemi dy javë pushim që të rimarrë pak veten për të nisur më pas kimioterapinë e tretë. Deri tani, falë Zotit, nuk kemi pasur probleme dhe trajtimi po ecën mirë”, tha ajo.
Natasha pranoi se përballja me diagnozën e nipit ka qenë ndër momentet më të vështira të jetës së saj.
“Edhe sot e kësaj dite nuk dua ta pranoj atë që po kalojmë. Është shumë e vështirë për mua. Kur mësova diagnozën, ishte një tronditje e madhe. Nuk ka ditë që të mos mendoj për të dhe për atë që po përjeton ky fëmijë”, rrëfeu ajo.
Ajo shpjegoi se është e vetmja që kujdeset për Eraldin, pasi të dy prindërit e tij kanë probleme të rënda shëndetësore.
“Po, jam vetëm unë që kujdesem për të. Eraldi ka dy prindër të sëmurë dhe ata nuk munden të kujdesen për të as në spital dhe as në shtëpi. Jam e detyruar të jem pranë tij në çdo moment, si gjatë trajtimeve në Tiranë, ashtu edhe në shtëpi”, tha Natasha.
Sipas saj, familja jeton në kushte shumë të vështira ekonomike, ndërsa të ardhurat e prindërve janë minimale.
“Të dy prindërit janë në KEMP dhe nuk janë të punësuar. Me ato të ardhura është shumë e vështirë të përballohen të gjitha nevojat e familjes dhe sidomos trajtimi i Eraldit. Vetëm udhëtimet e vazhdueshme Fier-Tiranë, analizat, kontrollet dhe ushqimi kërkojnë shpenzime të mëdha”, tregoi ajo.
Natasha falënderoi stafin mjekësor që po ndjek djalin dhe të gjithë ata që janë solidarizuar me familjen.
“Falënderoj nga zemra të gjithë ata që janë përkushtuar për Eraldin. Falënderoj mjekët, infermierët dhe të gjithë stafin e spitalit. Në veçanti dua të falënderoj doktoreshën që po ndjek Eraldin, sepse për ne është bërë një mbështetje shumë e madhe”.
Ajo tregoi se Eraldi është prekur nga mbështetja që ka marrë nga shokët, mësuesit dhe njerëzit që e kanë ndihmuar.
“Është një fëmijë shumë i zgjuar dhe shumë i ndjeshëm. Kur i treguam që shokët e klasës, mësuesit dhe shumë njerëz po mblidhnin para për ta ndihmuar, u prek shumë. E ndjen se nuk është vetëm në këtë betejë”.
Pavarësisht sëmundjes, ëndrra më e madhe e 11-vjeçarit mbetet rikthimi në jetën normale.
“E vetmja gjë që më thotë vazhdimisht është: ‘Halla, dua të bëhem mirë’. Ka shumë dëshirë të dalë jashtë, të luajë, të bredhë si çdo fëmijë tjetër. Është shumë aktiv dhe sportiv. Edhe kur është në spital, i lutet mjekëve që ta lënë të dalë pak jashtë”, tregoi Natasha me emocion.
Ajo bëri një apel për ndihmë duke theksuar se, “Çdo kontribut, sado i vogël, është shumë i rëndësishëm për Eraldin. Falënderoj të gjithë ata që kanë ndihmuar deri tani dhe i ftoj të gjithë qytetarët që kanë mundësi të japin një dorë në këtë betejë të vështirë”.
Ndwrsa nga ana e saj mësuesja Aurora Goga, mësuesja e anglishtes së Eraldit, tregoi se si nisi nisma e solidaritetit në shkollën ku ai ndjek mësimet.
Sipas saj, gjithçka nisi në fillim të vitit shkollor, kur mësuesit mësuan se nxënësi i tyre ishte diagnostikuar me leucemi.
“Kur u njoftuam për sëmundjen e Eraldit, drejtoresha e shkollës mblodhi stafin dhe menjëherë vendosëm të ndërmerrnim hapa konkretë për ta ndihmuar. Njoftuam prindërit, nxënësit dhe më pas mesazhi u shpërnda edhe në shkollat e tjera të Fierit”, tha ajo.
Nisma u përqafua nga komuniteti arsimor dhe shumë institucione iu bashkuan thirrjes për ndihmë.
“Mësues, nxënës, prindër dhe drejtues shkollash u bënë bashkë. Kemi pasur mbështetje të jashtëzakonshme jo vetëm nga shkolla jonë, por edhe nga shumë shkolla të tjera në Fier dhe zonat përreth. Deri tani kemi mbledhur rreth 600 mijë lekë të reja, të cilat i janë dorëzuar familjes së Eraldit”.
Mësuesja tha se gjendja familjare e nxënësit ishte e njohur për stafin pedagogjik dhe kjo i bëri edhe më të vendosur për ta ndihmuar.
“Ne e dinim situatën ekonomike dhe shëndetësore të familjes. Kishim komunikim të vazhdueshëm me gjyshen e tij dhe e dinim se kushtet nuk ishin të lehta. Kjo na motivoi edhe më shumë të vepronim”.
Aurora Goga bëri një apel publik për më shumë mbështetje.
“Ju lutem të gjithëve, ta bëjmë për Eraldin. T’i tregojmë se nuk është vetëm. Ndoshta për dikë një shumë e vogël nuk ka shumë vlerë, por për Eraldin mund të bëjë një ndryshim të madh. Le t’i japim shpresë që të shërohet dhe të rikthehet në bankat e shkollës, pranë shokëve të tij”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




