Restoranti në Kanada ndalon hyrjen e fëmijëve nën 15 vjeç, vendimi shkakton debat
Një restorant në Kanada ka nxitur reagime të shumta pasi pronarja vendosi të ndalojë shërbimin për klientët nën moshën 15-vjeçare.
Sipas New York Post, Christine Pattison, kuzhiniere dhe pronare e restorantit Miss Christine's Kitchen në Winnipeg, njoftoi se fëmijët nën këtë moshë nuk do të lejohen të qëndrojnë në hapësirën e ngrënies.
Vendimi nënkupton gjithashtu se restoranti nuk do të ofrojë menu të veçantë për fëmijë dhe nuk do të ketë karrige të posaçme për ta apo hapësira për ndërrimin e pelenave.
Pattison shpjegoi se politika synon të ruajë atmosferën e qetë dhe intime të restorantit, në mënyrë që klientët të shijojnë ushqimin dhe kohën e kaluar aty, transmeton Telegrafi.
“Te Miss Christine's Kitchen përpiqemi të krijojmë një atmosferë të ngrohtë, komode dhe relaksuese, ku mysafirët tanë mund të shijojnë ushqim të mirë, shoqëri të këndshme dhe përvoja të paharrueshme”, shkroi ajo.
Ajo shtoi se restoranti ofron një ambient të përshtatshëm për të rriturit që dëshirojnë të largohen për pak kohë nga përditshmëria, qoftë për një mbrëmje romantike, një takim të veçantë apo thjesht për t'u çlodhur.
Njoftimi shkaktoi reagime të ndara në rrjetet sociale. Disa përdorues, që dukeshin se ishin banorë të zonës, ngritën edhe pikëpyetje nëse kjo politikë mund të jetë në kundërshtim me legjislacionin për të drejtat e njeriut.
Megjithatë, shumë të tjerë e mbështetën vendimin, duke argumentuar se jo çdo restorant duhet të jetë i përshtatur për fëmijë.
“Si baba i tre fëmijëve nën moshën tetëvjeçare, e mbështes plotësisht këtë vendim. Jo çdo vend duhet të jetë i përshtatshëm për fëmijët”, shkroi një përdorues.
Një tjetër komentoi se restorantet që nuk pranojnë fëmijë duhet të jenë më të shumta, duke theksuar se personat pa fëmijë duhet të kenë mundësinë të shijojnë një ambient të qetë.
Nga ana tjetër, pati edhe kundërshtime ndaj kësaj politike. Disa përdorues argumentuan se restorantet duhet të jenë të hapura për familjet dhe se prindërit duhet të kenë të drejtë t'i shoqërojnë fëmijët e tyre gjatë ngrënies jashtë.
“Nëse është restorant, nuk duhet të ketë kufizim moshe. Nuk është bar ku shërbehen pije alkoolike. Mendoj se prindërit duhet të kenë të drejtë t'i marrin fëmijët me vete në restorant”, shkroi një komentues.
Një tjetër kritikoi përjashtimin e të rinjve nga hapësirat publike, duke thënë se shoqëria ka nevojë për më shumë përfshirje dhe jo për kufizime të tilla. /Telegrafi/





























