Katër ushtarë humbën jetën pasi një helikopter ushtarak i tipit S-70 u rrëzua të enjten pasdite (12/11) në provincën lindore turke të Malatyas.
Helikopteri u rrëzua rreth orës 18:45 sipas orës lokale, në zonën Samanköy të rrethit Yeşilyurt, në rrethana që ende mbeten të paqarta.
Menjëherë pas rrëzimit, në vendngjarje shpërtheu një zjarr i vogël, i cili u vu nën kontroll nga ekipet zjarrfikëse. Ambulancat, zjarrfikësit, ekipet e Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), si dhe forcat policore dhe ushtarake, mbërritën me shpejtësi në zonë.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare bëri të ditur: “Helikopteri ynë S-70 u rrëzua në Malatya për një arsye që ende nuk dihet, duke shkaktuar vdekjen e katër kolegëve tanë që ndodheshin në bord.”
Ndërkohë, autoritetet policore dhe ushtarake kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Helikopteri i përket familjes Sikorsky S-70, një seri helikopterësh ushtarakë shumëfunksionalë me dy motorë, të projektuar për transportin e personelit, operacionet e kërkim-shpëtimit dhe misione të tjera. Personeli ushtarak dhe ai policor vijojnë të qëndrojnë në vendngjarje, ndërsa hetimet për shkaqet e rrëzimit janë në zhvillim.













