Të shkruash një raport apo të interpretosh një skanim me ndihmën e inteligjencës artificiale mund të duket si një mënyrë për ta lehtësuar punën. Por, kur ia kalojmë këto detyra teknologjisë, aftësitë për t’i kryer vetë mund të dobësohen pak nga pak, pa e kuptuar.
Kaisa Kärki, nga Universiteti i Helsinkit, e shqyrton këtë rrezik në një studim të ri mbi humbjen e aftësive profesionale, të njohur si “deskilling”. Termi përshkruan si dobësimin e një aftësie të fituar, ashtu edhe mungesën e zhvillimit të saj, kur detyra i besohet që në fillim inteligjencës artificiale.
Të lidhura
None found
Sipas përfundimit të Kärki, përcaktimi i aftësive që duhet të mbeten në duart e njeriut nuk duhet t’i lihet secilit profesionist veçmas, por vetë fushave profesionale. Studimi i saj mbështetet në kërkime të publikuara, kryesisht në mjekësi, dhe nuk paraqet një eksperiment të ri.
Aftësitë kërkojnë praktikë
Kärki i referohet parimit që psikologët e përmbledhin me shprehjen “Përdore ose humbe”: shumica e aftësive njerëzore duhen ushtruar rregullisht për t’u ruajtur.
Në një studim mbi kirurgët, të cituar prej saj, të gjitha aftësitë e matura u dobësuan pas një ndërprerjeje të gjatë. Rënia ishte më e madhe te detyrat komplekse të kryera nga fillestarët, ndërsa aftësitë e ushtruara intensivisht u ruajtën më mirë.
Me inteligjencën artificiale, ndërprerja e praktikës mund të mos jetë e dukshme. Siç vëren Kärki, një profesionist që e kryen një detyrë me ndihmën e një asistenti të tillë nuk mendon se ka pushuar së bëri atë punë. Megjithatë, aftësia e tij mund të zbehet edhe pse puna, në pamje të parë, vazhdon si zakonisht.
Rreziku prek edhe aftësitë që ende nuk janë fituar. Në një studim mbi programimin, pjesëmarrësit mësuan shumë më tepër kur punuan pa inteligjencë artificiale, sepse iu desh t’i gjenin dhe t’i ndreqnin vetë gabimet. Po kështu, mjekëve në trajnim mund t’u mungojnë raste për të mësuar nëse mjeti kryen pjesën më të vështirë të punës; vështirësitë mund të shfaqen kur ai nuk është më në dispozicion.
Përvoja nuk e përjashton rrezikun
Një pengesë tjetër, shkruan Kärki, është se njerëzit nuk i vlerësojnë me saktësi aftësitë e veta. Në shumë studime, vetëvlerësimi përputhet vetëm në mënyrë të moderuar me aftësitë e matura, ndërsa shumica priren ta shohin veten më të aftë sesa janë. Kjo ua vështirëson profesionistëve të dallojnë me besueshmëri dobësimin e aftësive të tyre.
Kërkimet e shqyrtuara prej saj tregojnë se as përvoja e gjatë nuk ofron mbrojtje të plotë. Radiologë me shumë përvojë, që analizonin mamografi, shfaqën shenja të humbjes së aftësive, ndonëse në masë shumë më të vogël se kolegët pa përvojë.
Pas nisjes së përdorimit të inteligjencës artificiale nga mjekët endoskopistë, në kolonoskopitë e kryera pa ndihmën e saj u zbuluan adenoma, polipe potencialisht parakanceroze, te 22,4% e pacientëve. Përpara futjes së teknologjisë, kjo shifër ishte 28,4%. Humbje të konsiderueshme aftësish u vunë re edhe te kontabilistë që kishin punuar për më shumë se një dekadë pa mjete të inteligjencës artificiale, pasi nisën t’i përdornin ato.
“Një nga problemet është se profesionistët e kanë të vështirë ta dallojnë humbjen e aftësive në përditshmëri, pjesërisht për shkak të paragjykimeve që shoqërojnë mbështetjen te inteligjenca artificiale”, tha Kärki. Sipas saj, përgjigjet bindëse të modeleve të mëdha gjuhësore mund t’i shtyjnë njerëzit të mbështeten tepër tek ato, edhe pse këto modele gabojnë.
Në një sondazh të cituar nga Kärki, 74% e mjekëve thanë se shqetësoheshin për humbjen e aftësive profesionale. Por shqetësimi nuk e mat problemin: dobësimi zakonisht vihet re vetëm kur mjeti nuk përdoret më.
Kush mban përgjegjësi?
Në qendër të argumentit të Kärki është çështja e përgjegjësisë. Filozofët, në përgjithësi, i konsiderojnë njerëzit përgjegjës për veprimet që kryejnë me vetëdije. Por ky këndvështrim bëhet më i ndërlikuar kur bëhet fjalë për paragjykime që njeriu nuk arrin t’i dallojë te vetja.
“Paragjykimet e vështira për t’u vënë re, që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale, i sfidojnë këto pikëpamje. Ne nuk i dallojmë gjithmonë paragjykimet tona apo prirjen për t’u mbështetur tepër te inteligjenca artificiale”, tha ajo. Për këtë arsye, sipas Kärki, nuk është e qartë nëse një person mund të mbahet përgjegjës për dobësimin gradual e të padukshëm të aftësive të veta dhe për gabimet që pasojnë.
Pasojat e gabimeve mund të jenë të rënda. Në një test të cituar në studim, modelet më të mira të mëdha gjuhësore dhanë përgjigje të sakta për 85% të pyetjeve mbi trajtimin e kancerit. Më shumë se 80% e përgjigjeve të pasakta kishin probabilitet të lartë të shkaktonin dëme nga mesatare deri në të rënda.
Kärki argumenton se përqendrimi te përgjegjësia individuale e mjekëve mund të lërë në hije ndryshimet më të gjera në trajnim dhe në praktikën profesionale që ndikojnë në humbjen e aftësive.
Profesionet duhet të ruajnë aftësitë thelbësore
Kur një fushë e tërë mbështetet te inteligjenca artificiale, ajo mund të humbasë edhe aftësinë për t’ua mësuar vetë të tjerëve bazat e profesionit, shkruan Kärki. Studiues të mëparshëm e kanë quajtur këtë dukuri “brishtësi e sistemit”.
Një kirurg nuk mund ta dijë vetë sa kirurgë të tjerë mbështeten te një robot për të njëjtin hap të një procedure, ndërsa një organizatë profesionale mund ta zbulojë. Prandaj, sipas Kärki, komunitetet profesionale duhet të marrin përgjegjësinë e parë: të përcaktojnë brenda fushës së tyre cilat aftësi janë thelbësore dhe cilat detyra duhet të kryhen të paktën pjesërisht nga njerëzit.
Më pas mund të zbatohen kontrolle të rregullta të aftësive, periudha trajnimi pa inteligjencë artificiale dhe praktika ku njeriu merr fillimisht vendimin e vet, përpara se të shohë përgjigjen e mjetit. Kärki kujton se pilotët tashmë trajnohen për dështimin e pilotimit automatik dhe regjistrojnë kohën kur fluturojnë manualisht.
Akti i Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale e pranon se njerëzit mund t’u besojnë më shumë seç duhet sistemeve të automatizuara. Megjithatë, vëren Kärki, ai nuk trajton humbjen e aftësive që mund të vijë nga kjo mbështetje.
“Në edukimin mjekësor është argumentuar tashmë se mësimi i aftësive bazë duhet të ketë edhe një fazë pa përdorimin e inteligjencës artificiale”, tha ajo. Kärki përmendi arsyetimin diagnostikues si aftësi thelbësore për praktikën mjekësore, krahas njohjes së përgjithshme të fushës dhe detyrave të saj.
Çfarë mbetet për t’u sqaruar?
Matja e humbjes së aftësive profesionale është e vështirë, sepse ajo ndodh gradualisht dhe mund të bëhet e dukshme vetëm kur inteligjenca artificiale hiqet nga përdorimi. Vështirë të vlerësohet edhe ndikimi i saj te gjykimi profesional dhe të menduarit kritik.
Meqë pjesa më e madhe e provave vjen nga mjekësia, Kärki kërkon që të shqyrtohen edhe fusha të tjera, si dhe të kryhen studime që ndjekin të njëjtët profesionistë për shumë vite. Ende nuk dihet cilat aftësi mund t’i besohen në mënyrë të sigurt inteligjencës artificiale, cilat duhet të mbeten te njeriu dhe nëse një profesionist duhet të mbajë ndonjëherë përgjegjësi kur lejon dobësimin e një aftësie.
Sipas Kärki, filozofëve u takon të shqyrtojnë këto pyetje, por rregullatorët nuk duhet të presin përgjigjet përpara se të veprojnë. “Humbja e aftësive sjell rreziqe të mëdha, të cilat njerëzimi dhe profesionet duhet t’i marrin parasysh përpara se aftësitë të dobësohen në nivelin e gjithë komunitetit”, tha ajo.
Derisa profesionet të vendosin kufijtë e përdorimit të inteligjencës artificiale, secilit punonjës i mbetet të përpiqet të dallojë vetë një dobësim që, sipas studimeve, është i vështirë të vihet re pa ndihmë.







