“Bashkimi Evropian ka kërkuar reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse”, kështu u shpreh analisti Rezart Kthupi në një intervistë në “News24”.
Gjatë intervistës, Kthupi u ndal te ato çështje të cilat i rendit si shqetësuese. Gjithashtu u shpreh kritik ndaj partive politike PS dhe PD duke thënë se nuk kanë vullnet që të bëjnë një kod zgjedhor që u shërben qytetarëve, por shohin vetëm interesat e tyre.
“Çështja e financimeve të partive politike është një gangrenë. Qeverisë i intereson që të përdorë burime shtetërore në fushata zgjedhore është edhe mënyra e mirë për të pasur deformime. Depolitizimi i administratës zgjedhore është një tjetër problem. Pra administrate zgjedhore duhet të depolitizohet, por askush nuk e merr përsipër. Pa një sistem zgjedhor të mirë dhe demokraci funksionale nuk mund të integrohesh në BE. Ky Komision nuk ka qëllim të prodhojë një reformë në interes të qytetarëve, por një kod zgjedhor që t’i shërbejë vetëm dy partive të mëdha. PD dhe PS nuk kanë pasur vullnet që të krijohet një kod zgjedhor që t’i shërbejë qytetarëve. Raporti i fundit i BE citonte nevojën për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe forca politike duhet të pranojë, draft apo propozime të hapura.
Në analizën e tij bëri edhe një pasqyrim të protestës duke vënë në pah edhe arritjet e protestës.
“Protesta e 31 majit e në vijim e ka shndërruar peizazhin politik. Gjysma e njerëzve që takojmë nuk do votojnë me as për PD dhe PS. Dhe njerëzit po ndërgjegjësohen se është çështje ndryshimi, të ndryshohet komplet sistemi. Kjo është një nga fitoret më të mëdha të protestës, dhe i tregoi shqiptarëve që ky sistem në grahmat e fundit dhe duhet ta shembim. Problemi është se ajo që Sali Berisha do tentojë, është ta uzurpojë protestën. Rreziku më i madh që ka Sali Berisha individualisht dhe PD si parti është që protesta të dalë me një kandidat të saj. Nëse protesta del me kandidat të gjitha partitë që nuk do bënin koalicion me PD, do shkonin të mbështesnin kandidatin e protestës pa rezervë…Nëse protesta do dalë me kandidat jo politike por qytetar, PD do jetë në pozitë të vështirë…Nuk di të them se protesta do e fitonte Bashkinë Tiranë, por di të them që kandidati i PD do dilte i 3. PD duhet të heqë dorë nga hilet që bën Berisha. Qëllimi i protestës është jo vetëm të rrëzojë Ramën, por të shembë një sistem politik që bazohet mbi Ramën dhe Berishën”, tha ai.
