Lajmi është konfirmuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, i cili bëri të ditur se kërkimet në këtë zonë nisën më 6 nëntor, pas marrjes së autorizimit gjyqësor. Për shkak të ndryshimeve të terrenit ndër vite, faza e parë e operacionit nuk arriti të lokalizonte varrin e dyshuar.
Kërkimet u rifilluan më 12 nëntor, duke çuar këtë herë në zbulimin e mbetjeve mortore. Ende nuk dihet se kujt i përkasin ato dhe sa persona mund të jenë varrosur në këtë vend.
Mbetjet do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekoligjore, ndërsa për përcaktimin e identitetit do të përdoren edhe analizat e ADN-së.
Operacioni u realizua nga Komisioni Qeveritar, Instituti për Mjekësi Ligjore dhe Policia e Kosovës, me mbështetjen e Prokurorisë dhe Departamentit për Krime Lufte.
Sipas autoriteteve, identifikimi i lokacionit u bë i mundur edhe falë bashkëpunimit me institucionet kroate, informacioneve të dhëna nga familjarët e personave të zhdukur dhe kontributit të qytetarëve.
Komisioni ka deklaruar se kërkimet do të vijojnë, me synimin për të zbardhur fatin e personave që rezultojnë të zhdukur prej më shumë se tri dekadash nga lufta në Kosovë.













