Promovohet libri “Ditari i një mësuesi në flakët e luftës” i autorit Metë Nimani - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Promovohet libri “Ditari i një mësuesi në flakët e luftës” i autorit Metë Nimani

    Insajderi
    12 November 2026 - 19:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë është promovuar libri “Ditari i një mësuesi në flakët e luftës – Kujtime, përjetime dhe dëshmi nga ditët e luftës”, i autorit të ndjerë Metë Nimani.

    Promovimi u organizua në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të autorit, duke rikthyer në vëmendje jetën, veprën dhe kontributin e tij, si dhe duke vënë në pah rëndësinë e dëshmive personale për dokumentimin e historisë së luftës në Kosovë.

    Në emër të Universitetit “Fehmi Agani”, të pranishmit i përshëndeti dekani, Prof. Asoc. Dr. Ferdi Kamberi. Për jetën dhe veprimtarinë e autorit foli kolegu dhe bashkëpunëtori i tij, Mal Haziri, ndërsa recensentët e librit, Prof. Dr. Muhamet Gllagjani dhe Prof. Dr. Blerim Canaj, vlerësuan rëndësinë dokumentare, historike dhe njerëzore të kësaj vepre.

    Kujtime dhe vlerësime për autorin dhe librin ndanë edhe Jahë Kokaj, ish-bashkëpunëtor i Metë Nimanit, Fatmir Limaj, luftëtar dhe bashkëveprimtar i periudhës së luftës, si dhe Hysen Brahimaj, koleg dhe njohës i afërt i autorit.

    Aktiviteti u moderua nga kryetarja e Parlamentit të Studentëve të Universitetit “Fehmi Agani”, Elda Gacaferi.

    Libri paraqet një dëshmi me vlerë të veçantë përjetimesh dhe kujtimesh nga ditët e luftës, duke sjellë një perspektivë personale të ngjarjeve përmes shënimeve të një mësuesi që dokumentoi kohën e vështirë në të cilën jetoi dhe veproi. Vepra është botuar duke ruajtur origjinalitetin e shkrimeve dhe dëshmive të autorit.

    Në këtë promovim, i pranishëm ishte edhe djali i autorit, Artan Nimani, njëherësh redaktor përgjegjës i librit, i cili shprehu mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuuesit që nderuan kujtimin e babait të tij.

    Promovimi u përmbyll në një atmosferë respekti dhe kujtese, duke rikujtuar se dëshmi të tilla kanë rëndësi të veçantë për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe përcjelljen e historisë te brezat e ardhshëm.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark