Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me dyfishimin e tarifave tregtare ndaj Meksikës, nëse autoritetet e këtij vendi nuk ndalojnë një karvan me rreth 1,500 emigrantë që po lëviz drejt kufirit me Shtetet e Bashkuara.
Paralajmërimi u bë publik këtë të enjte përmes një postimi në rrjetet sociale, ku kreu i Shtëpisë së Bardhë kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria meksikane.
“Meksika duhet t’i ndalojë ata, tani, dhe nëse nuk e bëjnë këtë, tarifat ndaj Meksikës do të dyfishohen menjëherë. Nuk do të ketë asnjë lehtësim!”, shkroi Trump.
Karvani, i përbërë kryesisht nga emigrantë nga vendet e Amerikës Qendrore, u nis të martën nga qyteti Tapachula, në jug të Meksikës, pranë kufirit me Guatemalën. Rreth 1,500 persona kanë marrë rrugën drejt veriut, me shpresën për të hyrë në SHBA dhe për të nisur një jetë të re.
Disa prej tyre shpresojnë se ndryshimet e fundit politike në Shtetet e Bashkuara dhe fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit mund të krijojnë mundësi të reja për të jetuar dhe punuar në vend.
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum konfirmoi se autoritetet janë në dijeni të lëvizjes së karvanit, por theksoi se situata po menaxhohet dhe se nuk do të përdoren masa represive.
Sipas saj, emigrantët janë informuar për vështirësitë që i presin në përpjekjen për të hyrë në SHBA, ndërsa qeveria po punon për të lehtësuar kthimin e tyre në vendet e origjinës. Sheinbaum shtoi se që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, asnjë karvan emigrantësh nuk ka arritur në kufirin amerikan.
Ndërkohë, disa media lokale raportojnë se autoritetet në shtetin Chiapas kanë penguar emigrantë të tjerë t’i bashkohen grupit.
Në të njëjtën linjë me presidentin reagoi edhe Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, i cili paralajmëroi përdorimin e të gjitha burimeve në dispozicion për mbrojtjen e kufirit.
“Ne do të përdorim të gjitha asetet për t’u siguruar që kufijtë tanë janë të sigurt. Ky karvan i paligjshëm i emigrantëve nuk do të lejohet të hyjë në vendin tonë”, deklaroi Mullin.
Kërcënimi i Trump vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Meksikos, ndërsa dy vendet po negociojnë një marrëveshje të re tregtare, pas vendimit të presidentit amerikan për të mos zgjatur paktin tregtar SHBA-Meksikë-Kanada.
Politikat e ashpra të administratës Trump ndaj emigracionit kanë ndikuar në uljen e fluksit drejt kufirit jugor amerikan, duke bërë që edhe disa qendra pritjeje në Meksikë të mbeten bosh.

