Reshje të dendura shiu dhe shtrëngata pritet të përfshijnë gjashtë qarqe të vendit gjatë pasdites së sotme dhe ditës së premte. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, për shkak të rrezikut nga grumbullimet e ujit, vërshimet e përrenjve dhe rrëshqitjet e dherave.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë pasdites së 12 nëntorit reshje mesatare deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata, priten në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Ndërsa të premten, më 13 nëntor, moti i paqëndrueshëm do të prekë qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, ku parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive.
Mbrojtja Civile paralajmëron se në zonat urbane mund të ketë grumbullime të përkohshme të ujit, ndërsa në zonat malore ekziston rreziku i vërshimit të përrenjve dhe rrëshqitjeve të dherave.
Përballë situatës së pritshme, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka kërkuar strukturave vendore të marrin masa parandaluese, të monitorojnë zonat me risk dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet për ndërhyrje në rast nevoje.
Qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj rrezikut, si dhe të ndjekin njoftimet zyrtare. AKMC bën me dije se po vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin me strukturat përgjegjëse.

