Një aksident i rëndë me pasoja tragjike është regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku një përplasje masive mes 18 makinave dhe pesë kamionëve ka shkaktuar të paktën 14 viktima dhe 30 të plagosur. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, më 12 nëntor, në autostradën Sheikh Khalifa bin Zayed, pranë hyrjes së emiratit të Fujairah.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë humbja e kontrollit të një kamioni nga drejtuesi i tij. Automjeti u përplas fillimisht me një tjetër mjet, më pas u përmbys dhe goditi disa makina që ndodheshin të ndaluara në trafik. Situata u përkeqësua brenda pak çastesh, pasi përplasja shkaktoi një zjarr të madh, i cili përfshiu edhe automjete të tjera në zonë.
Në vendngjarje u mobilizuan forca të shumta policie, zjarrfikës dhe ekipe mjekësore, të cilat punuan për shuarjen e flakëve dhe dhënien e ndihmës për të plagosurit. Autoritetet bëjnë me dije se 15 persona kanë marrë trajtim dhe janë larguar nga spitali, ndërsa 15 të tjerë vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve.
Mes viktimave konfirmohet se ka edhe shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ndërkohë, për identifikimin e disa prej personave që humbën jetën, autoritetet po përdorin analizat e ADN-së. Ministria e Brendshme ka konfirmuar nisjen e hetimeve për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e kësaj tragjedie rrugore që tronditi emiratit e Fujairah.
