Shqyrtimi i projektbuxhetit të vitit 2027 për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u shoqërua me debate për drejtësinë mes mazhorancës dhe opozitës.

Pasi kryetarja e komisionit u kujtoi deputetëve socialistë rastet e të pandehurve nga radhët e mazhorancës që janë paraqitur në SPAK, deputeti i PS-së, Erion Malaj, i kujtoi opozitës etiketimet që Partia Demokratike dhe kreu i saj, Sali Berisha, i kanë bërë ndër vite këtij institucioni.

Në një postim në Facebook, Malaj theksoi se opozita nuk mund të ndryshojë qëndrim ndaj SPAK-ut sipas interesave politike të momentit.

“Flasin sot për SPAK-un ata që deri dje e quanin “SKAP”, “organizatë kriminale” dhe “seksion të Partisë Socialiste”. Madje, shkonin deri aty sa deklaronin se ky institucion nuk do të ekzistonte nëse ata vinin në pushtet. Deklaratat janë publike dhe historia nuk mund të rishkruhet sipas interesit politik të ditës. Ne, si Partia Socialiste, kemi qenë forca politike që udhëhoqi Reformën në Drejtësi, duke krijuar kushtet ligjore dhe institucionale për ngritjen dhe pavarësinë e SPAK-ut. Kemi mbështetur forcimin e tij dhe vazhdojmë të mbështesim një drejtësi të pavarur, që vepron pa dallime dhe pa ndërhyrje politike. Pavarësia e drejtësisë nuk matet me deklaratat që bëhen sot, por me qëndrimet dhe veprimet që mbahen në kohë” tha Malaj në Facebook