Donald Trump paralajmëroi Meksikën se do t’i dyfishojë menjëherë tarifat tregtare nëse autoritetet e saj nuk ndalojnë karvanin me më shumë se 1,000 emigrantë që po udhëton drejt kufirit të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti amerikan e bëri paralajmërimin këtë të enjte në një postim në rrjetet sociale. Ai i kërkoi qeverisë meksikane të veprojë pa vonesë dhe bëri të qartë se, nëse karvani nuk ndalet, nuk do të ketë lehtësim nga masat tarifore, raporton Reuters.
Të lidhura
None found
Karvani u nis të martën nga Tapachula, qytet në jug të Meksikës pranë kufirit me Guatemalën. Rreth 1,500 persona, kryesisht nga Amerika Qendrore, po udhëtojnë drejt veriut me shpresën për të hyrë në SHBA dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë.
Disa prej tyre besojnë se zhvillimet e fundit politike në Shtetet e Bashkuara, përfshirë fitoren e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit, mund t’u hapin mundësi të reja për të jetuar e punuar atje.
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum konfirmoi se autoritetet e dinë ku ndodhet karvani dhe se po e menaxhojnë situatën pa përdorur masa represive. Ajo tha se emigrantët janë vënë në dijeni të vështirësive për të hyrë në SHBA, ndërsa qeveria po përpiqet të lehtësojë kthimin e tyre në vendet e origjinës.
Sheinbaum shtoi se, prej rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, asnjë karvan emigrantësh nuk ka mbërritur në kufirin amerikan. Ndërkaq, sipas disa mediave lokale, autoritetet në shtetin Chiapas kanë penguar emigrantë të tjerë t’i bashkohen grupit.
Pas postimit të Trump, Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, deklaroi se administrata do të vërë në përdorim të gjitha burimet për të mbrojtur kufijtë. Ai tha se karvani, të cilin e cilësoi të paligjshëm, nuk do të lejohet të hyjë në SHBA.
Paralajmërimi për tarifat vjen ndërsa Uashingtoni dhe Meksiko po negociojnë një marrëveshje të re tregtare, pasi Trump vendosi të mos e zgjasë paktin tregtar SHBA-Meksikë-Kanada.
Masat e ashpra të administratës Trump ndaj emigracionit kanë ulur ndjeshëm numrin e personave që shkojnë drejt kufirit jugor të SHBA-së. Si pasojë, shumë qendra pritjeje në Meksikë kanë mbetur bosh.








