Nga Genc Burimi

“Mund të jem vërtet udhëheqësi më i gjatë në Evropë në këtë samit”, tha Rama sot para gazetarëve në Dublin, ku mblidhej Komuniteti Politik Evropian, “por s’përfaqësoj veçse një vend fare të vogël e pa peshë”. Dakord, por atëherë çfarë nevoje pati Kryeministri i Shqipërisë së vogël dhe jo anëtare e BE-së të nxirrte nga goja çudira të atilla mbi konfliktin aktual në Ukrainë?

“Europa bëri një gabim shumë të madh që nga dita e parë, sepse hoqi dorë nga diplomacia me Rusinë duke u përqendruar vetëm tek armatosja. Ishte një gabim i madh i saj që vuri bast se s’kishte nevojë për bisedime, meqenëse Rusia do të mundej ushtarakisht.” Më tej Rama shtoi: “Çështja është se Europa e ka nënkontraktuar diplomacinë e saj te Donald Trump dhe ja rezultati.”

Udhëheqësi shqiptar, me këtë leksion surrealist, bën një sërë gafash, në mos gajesh:

1- Ndryshe nga familja e përbashkët evropiane ku Shqipëria synon të hyjë, Edi Rama nënkupton se mund të bëhet diplomaci me Putinin, ashtu siç mund të bëhej me Hitlerin, ku naiviteti i një Chamberlaini dhe i një Daladier-i në Mynih më 1938 u pagua “cash” me 40 milionë viktima nga nazizmi në mbarë kontinentin evropian. Rama predikoi në Dublin se mund të negociohet me diktatorin rus në të mirë të Ukrainës, kur ushtria e Putinit po përpiqet çdo ditë ta rrafshojë këtë vend martir dhe të shfarosë popullin ukrainas ekzaktësisht siç bëri me Çeçeninë. Ishte Rama që foli apo Peskovi, zëdhënësi i Kremlinit?

2- Po të ishte fati i luftës në Ukrainë në duart e diplomacisë evropiane sipas vizionit të Ramës, përse tash dy vjet që nga ardhja e Trumpit në pushtet, edhe vetë fuqia më e madhe në botë nuk po arrin dot te paqja me anë të rrugës së diplomacisë?

3- Pse ky sulm verësie edhe ndaj Presidentit Trump, për të cilin Rama thotë me përbuzje “ja rezultati tani që Europa mori si nënkontraktor Donald Trumpin për negociatat me Rusinë”? Apo ngaqë tani, pasi ky humbi zgjedhjet, Rama ua bën me sy armiqve demokratë të Trumpit në Kongres dhe në Senat? I padenjë ky vals interesaxhinjsh\!

4- Më e rënda drejtpërdrejt për Shqipërinë në deklaratat e sotme të Ramës nga Dublini është irritimi i pashmangshëm që ato shkaktojnë te vendet baltike, të cilat shpëtimin e shohin te një Evropë që armatoset dhe jo te një Evropë që negocion me djallin. Këto vende janë anëtare të BE-së dhe vetoja ndaj kandidaturës së Shqipërisë mund të ishte reagimi më normal i tyre, kur Rama luan kalin e Trojës në favor të interesave të Rusisë, qëllimi i së cilës është të fitojë kohë me negociata diplomatike dhe të heqë vëmendjen nga bombardimet çnjerëzore që i bën çdo ditë dhe çdo orë Ukrainës në këtë periudhë dimri, për ta çuar drejt kapitullimit.

5- Më ironikja është se Rama u këshillon evropianëve të bëjnë negociata, gjë të cilën e refuzon kategorikisht për veten e tij në Shqipëri, ku populli në rrugë kërkon qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Pse nuk i thotë edhe ai vetes që, në vend të armatosë e mbipaguajë policinë, do të ishte më e udhës, në interes të paqes civile dhe të ardhmes së Shqipërisë, të pranonte një negociatë mbi bazën e kërkesave të shqiptarëve që manifestojnë në rrugë gati prej një gjysmë viti…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: