Nis ndërtimi i pedonales, Pusteci synon të kthehet në një destinacion tërheqës turistik
Pusteci synon të shndërrohet në një nga destinacionet më tërheqëse turistike të juglindjes së vendit. Kanë nisur punimet për ndërtimin e pedonales, një projekt i Këshillit të Qarkut Korçë, me bashkëfinancim nga Bashkia Pustec.
Ndërhyrja synon përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e hapësirave më funksionale për banorët dhe vizitorët vendas e të huaj. Gjatë inspektimit të nisjes së punimeve, kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, Petrika Tollkuçi, e cilësoi Pustecin si “Perlën e Juglindjes”, duke vënë në dukje potencialin e tij për t’u kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik.
“Bashkia e Pustecit është, si të thuash, kërthiza e këtij qarku. Është ajo perlë që është shndërruar në një atraksion të jashtëzakonshëm turistik, të cilin Këshilli i Qarkut po e promovon çdo ditë. Kështu, vitin e kaluar Këshilli i Qarkut financoi projektimin e saj pedonal dhe sivjet e kemi materializuar këtë projekt në një investim, i cili nis sot dhe do të përfundojë brenda një periudhe katërmujore. Do të jetë një zonë këmbësore që do t’i japë jetë jo vetëm kësaj zone dhe këtij fshati, por të gjithë Bashkisë së Pustecit. Gjithashtu, do të jetë një destinacion i vizitueshëm nga të gjithë turistët“, u shpreh Petrika Tollkuçi, kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, theksoi se ky investim do t’i hapë rrugë projekteve të tjera infrastrukturore, të cilat do të ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të zonës.
“Ky projekt që kemi sot këtu është hapi i parë dhe mendoj se është një fillim i mbarë. Bëhet fjalë për një zonë pedonale, një shembull i bukur se si duhet të jetë Bashkia e Pustecit. Ngjitur me këtë projekt kemi edhe një tjetër projekt që e kemi hartuar së bashku për ndërtimin e një qendre multifunksionale, e cila besoj se do t’i shtojë akoma më shumë vlerë kësaj zone. Ne mendojmë që shumë shpejt të sigurojmë financimin edhe për këtë projekt, në mënyrë që kjo zonë të kthehet vërtet në një hapësirë ku banorët dhe turistët të mund të shijojnë e të çlodhen mes bukurive natyrore të Bashkisë së Pustecit“, tha Pali Kolefski, kryetar i Bashkisë Pustec.
Përmes këtij projekti synohet t’i jepet një impuls i ri zhvillimit turistik të zonës së Prespës, duke shfrytëzuar më mirë bukuritë natyrore dhe potencialet që ofron kjo trevë.
Gazetare: Geralda Manushi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




