Transporti publik në Tetovë pritet të jetë së shpejti pa pagesë për studentët, njoftoi nënkryetari i Komunës, Albi Qamili.
Njoftimi erdhi pas takimit të tij me drejtuesit dhe përfaqësuesit e organizatave studentore të Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore. Në këtë takim u trajtuan kërkesat e studentëve, si edhe çështjet teknike që lidhen me zbatimin e projektit.
Të lidhura
None found
Sipas Qamilit, përcaktimi i detajeve teknike gjatë takimit të sotëm përbën një hap konkret drejt vënies në funksion të transportit falas për studentët. Ai u shpreh se zotimi i dhënë po shkon drejt përmbushjes dhe se shërbimi do të mundësohet shumë shpejt.
Nënkryetari theksoi se nisma ka për qëllim t’ua bëjë më të lehtë jetën e përditshme studentëve dhe ta kthejë Tetovën në një qytet më tërheqës për të rinjtë. Ai shtoi se dëgjimi i kërkesave të studentëve dhe lehtësimi i studimeve të tyre janë pjesë e synimit që Tetova të jetë një vend ku të rinjtë dëshirojnë të studiojnë e të qëndrojnë.
Mënyra konkrete se si do të funksionojë transporti pa pagesë pritet të bëhet e ditur së shpejti.







