Rrushkulli proteston për rrugët, banorët denoncojnë rrugët e shkatërruara dhe kanalizimet e papërfunduara Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin e ri për donacionet dhe sponsorizimet, që ndryshon ligjin e vitit 1994, me synim transformimin e financimit të sportit, artit dhe kulturës, duke krijuar mundësi të reja për talentin shqiptar.
Bizneset që paguajnë tatim mbi fitimin do të kenë mundësi të zbresin drejtpërdrejt nga detyrimi tatimor shumën e sponsorizuar për veprimtari publike në sport, art dhe kulturë, deri në 30% të tatimit mbi fitimin të vitit paraardhës. Ndryshimet parashikojnë deri në 2 miliardë lekë në vit për këta sektorë.
“Më shumë transparencë, përmes regjistrit elektronik kombëtar të sponsorizimeve dhe mekanizmave të kontrollit. Një model i ri partneriteti mes shtetit dhe biznesit, për më shumë investime, më shumë mundësi dhe më shumë mbështetje për të rinjtë e talentuar”, u shpreh Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Një tjetër pikë e rëndësishme është se të ardhurat e përfituara nga sponsorizimi parashikohen të jenë të patatueshme për subjektin që i merr ato.
Futbolli ka qenë zëri më i fortë dhe këmbëngulësi kryesor i kësaj kauze, ku në momente të caktuara është përfshirë edhe Basketbolli, që kanë kërkuar një mekanizëm të vërtetë për të tërhequr investimet private.
Projektligji përfshin edhe sponsorizimet në natyrë, me një mekanizëm të veçantë dhe një kufi prej 30%, të lidhur me rezultatin financiar dhe detyrimin tatimor të vitit pasardhës.
Për të shmangur abuzimet, projektligji parashikon detyrimin për dokumentimin e sponsorizimeve përmes kontratave, raporteve mbi përdorimin e fondeve dhe dokumenteve të tjera financiare. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një regjistri elektronik kombëtar të sponsorizimeve, për të garantuar transparencë dhe gjurmueshmëri.
Një element tjetër është e drejta e ankimit. Nëse administrata tatimore refuzon njohjen e lehtësisë, sponsorizuesi do të ketë 30 ditë kohë për të paraqitur ankim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me mundësi për të ndjekur edhe rrugët e tjera ligjore.
Top Channel