Kushtet e përkeqësuara atmosferike kanë ndërprerë përkohësisht lundrimin në linjën detare Durrës-Bari dhe anasjelltas. Era e fortë dhe dallgët e larta kanë detyruar autoritetet të shtyjnë me 10 orë nisjen e trageteve, të planifikuara për mbrëmjen e kësaj të enjteje.

Sipas Autoritetit Portual të Durrësit, tragetet që duhej të niseshin në orën 22:00 do të largohen vetëm mëngjesin e 13 nëntorit, në orën 08:00.

Pavarësisht njoftimit për ndryshimin e orarit, disa udhëtarë shprehen se nuk kanë marrë informacion të mjaftueshëm për kohën e pritjes dhe mbeten në pasiguri për mbërritjen në destinacion.

Ndërkohë, procesi i imbarkimit të pasagjerëve dhe automjeteve ka vijuar normalisht. Udhëtarët do të qëndrojnë në tragetet përkatëse deri në momentin kur kushtet atmosferike të mundësojnë një lundrim të sigurt.

Pezullimi i lundrimit nuk prek vetëm tragetet, pasi autoritetet detare kanë ndaluar gjithashtu daljen në det të anijeve të peshkimit deri në përmirësimin e motit.