Presidentë, kryeministra dhe drejtues evropianë, të cilët gjatë ditës kanë diskutuar për sfidat politike dhe të sigurisë së kontinentit, të gjithë në një shkallare të mbushur plot. Kjo është fotografia që kryeministri Edi Rama ka ndarë nga Dublini, ku u zhvillua samiti i nëntë i Komunitetit Politik Evropian.

Në pamje, mes dhjetëra pjesëmarrësve, dallohen Rama, Zelensky dhe presidenti francez Emmanuel Macron. Disa prej liderëve bisedojnë me njëri-tjetrin, të tjerë qëndrojnë në heshtje, ndërsa shkallët lëvizëse janë mbushur nga fillimi në fund.

Një fotografi që përmbledh në një hapësirë të ngushtë shumë prej figurave të politikës evropiane, të mbledhura në kryeqytetin irlandez për të diskutuar çështjet që shqetësojnë kontinentin.

Pa podiume, pa flamuj dhe pa tryeza të mëdha takimesh, fotografia e shpërndarë nga Rama sjell një tjetër pamje të samitit: atë të njerëzve që drejtojnë vende dhe institucione, të cilët për një çast shfaqen në një situatë krejt të përditshme.