GJEDNJ dënon Zvicrën për dhunën policore në Gjenevë, urdhëron pagesën e gati 10 mijë frangave dëmshpërblim

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka dënuar Zvicrën për përdorim joproporcional të forcës nga policia gjatë një kontrolli në Gjenevë, në vitin 2018. Gjykata ka konstatuar shkelje të ndalimit të trajtimit çnjerëzor dhe degradues, duke e obliguar Zvicrën t’i paguajë ankuesit pothuajse 10 mijë franga dëmshpërblim, si dhe t’ia mbulojë shpenzimet ligjore.
Vendimi, i bërë i ditur të enjten nga gazeta «Tribune de Genève», lidhet me arrestimin e një banori të Gjenevës, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor, shkruan Watson, transmeton Telegrafi.
Sipas versionit të ankuesit, policët e goditën me grusht në fytyrë, e tërhoqën zvarrë nga një automjet dhe vazhduan ta rrihnin edhe pasi e kishin nënshtruar. Në anën tjetër, zyrtarët policorë mohuan se e kishin goditur atë pasi ishte lidhur.
Burri ishte dënuar më vonë për sulm ndaj zyrtarëve policorë, ndërsa kishte ngritur edhe padi kundër tyre.
Inspektorati i Policisë së Gjenevës (IGS), i cili hetoi rastin, kishte arritur në përfundimin se përdorimi i forcës ishte i justifikuar, duke marrë parasysh rezistencën e burrit. Të njëjtin vlerësim e kishin bërë edhe Gjykata e Gjenevës dhe Gjykata Supreme Federale, të cilat i kishin konsideruar veprimet e policëve proporcionale, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut doli me një përfundim tjetër. Gjyqtarët në Strasburg vlerësuan se forca e përdorur nga policia ishte joproporcionale, ndërsa kritikuan edhe hetimin e mëvonshëm, të cilin e konsideruan të pamjaftueshëm.
Avokatja e ankuesit, Dina Bazarbachi, i tha «Tribune de Genève» se bëhet fjalë për një fitore të plotë. Ajo theksoi se, tetë vjet pas incidentit, drejtësia evropiane më në fund e kishte pranuar atë që gjyqësori i Gjenevës kishte refuzuar ta shihte.
Bazarbachi bëri gjithashtu thirrje për krijimin e një organi të pavarur që do të hetonte rastet që përfshijnë zyrtarë policorë./Telegrafi/



































