Gjykata ka caktuar pesë masa sigurie ndaj personave të dyshuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, në kuadër të hetimeve për tjetërsimin e pronave në zonën e Fierit.
Në masën e sigurisë “Arrest në burg” janë lënë Dilaver Shyti, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, Arben Voja, drejtor i Spitalit Rajonal të Fierit, Fjorela Bita dhe noterja Anila Haxhiu.
Për Arbina Jaupajn është caktuar masa e sigurisë “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Sipas dyshimeve të hetimit, pesë personat kanë qenë më herët pjesë e stafit të Hipotekës dhe dyshohet se kanë falsifikuar dokumente pronësie, duke mundësuar tjetërsimin e tokave shtetërore në pronësi private.
Hetimet lidhen me kalimin në pronësi private të rreth 44 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Povelçës, pronë që më pas dyshohet se u është shitur investitorëve të një projekti fotovoltaik.





