Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Përmes një postimi, Bardhi ka ironizuar qëndrimin e Ramës, i cili e ka cilësuar AKSHI-n si një institucion krenarie për qeverinë, ndërsa ka sjellë në vëmendje hetimet e SPAK për çështjen e tenderave të këtij institucioni.
“Edi Rama e shpalli AKSHI-n krenari kombëtare. Ndërkohë, SPAK-u e ka cilësuar atë si grup të strukturuar kriminal. Në fund të fundit, krimi i organizuar duket se është e vetmja krenari e Edi Ramës!”, shkruan Bardhi.
Çështja e AKSHI-t është nën hetimin e Prokurorisë së Posaçme, e cila në dhjetor 2025 njoftoi regjistrimin e procedimit penal ndaj disa personave për vepra penale që lidhen me tenderat publikë, përfshirë edhe veprën e grupit të strukturuar kriminal.
Nga ana tjetër, më 30 dhjetor 2025, kryeministri Edi Rama deklaroi se AKSHI ishte një institucion për të cilin qeveria kishte arsye të ishte krenare, duke vlerësuar kontributin e tij në digjitalizimin e shërbimeve publike. Reagimi i Bardhit rikthen në qendër të debatit politik përplasjen mes mazhorancës dhe opozitës për hetimet e SPAK mbi aktivitetin e AKSHI-t.
