Mijëra përdorues në vende të ndryshme të botës kanë hasur vështirësi në aksesimin e shërbimeve të Microsoft, pas një ndërprerjeje që preku disa prej platformave më të përdorura të kompanisë, përfshirë Outlook, Microsoft 365 dhe Teams.
Problemet u raportuan në disa shtete, mes tyre Shtetet e Bashkuara dhe Italia, ndërsa ndërprerja zgjati për më shumë se një orë.
Sipas të dhënave të Downdetector, vetëm në SHBA, rreth orës 18:00 sipas kohës lokale italiane, ishin regjistruar mbi 130 mijë raportime për probleme me Outlook. Ndërkohë, më shumë se 46 mijë përdorues kishin raportuar vështirësi me Microsoft 365 dhe rreth 3 mijë të tjerë me platformën Teams.
Microsoft konfirmoi se kishte marrë ankesa nga përdoruesit për pamundësinë e aksesimit të postës elektronike përmes Exchange Online.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, kompania bëri të ditur se kishte nisur hetimet për të identifikuar shkakun e problemeve, të cilat prekën mënyra të ndryshme të lidhjes me shërbimin në kontinentin amerikan.
Më herët, Microsoft kishte njoftuar se kishte rikthyer funksionimin normal të Teams pas një ndërprerjeje në Amerikën e Veriut. Megjithatë, më pas u konstatua se problematika mund të kishte ndikuar edhe në shërbimet e Microsoft 365 në rajone të tjera.
Deri në momentin e raportimit, kompania nuk kishte bërë publike shkakun teknik të ndërprerjes dhe as numrin e saktë të përdoruesve të prekur.
