Ambasada e Italisë në Kosovë ka reaguar ndaj mundësisë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Përfaqësia diplomatike vlerëson se propozimet mund të bien ndesh me zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe me parimet themelore të sundimit të ligjit, shkruan “Bota sot”.
Në reagimin publik, ambasada veçoi shqetësimet për pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje për kushtetutshmërinë e ndryshimeve të propozuara.
Të lidhura
None found
Ambasada bëri të ditur se, që prej kthimit të ligjit në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim, ua ka përcjellë aktivisht autoriteteve kosovare shqetësimet dhe pritshmëritë e saj. Mes tyre është kërkesa që, përpara miratimit të çdo ndryshimi, të zhvillohen konsultime në përputhje me zotimet ndërkombëtare të Kosovës.
Shprehu keqardhje që këto konsultime nuk janë zhvilluar ende dhe vlerësoi se ligji, në formën e tanishme, nuk u shërben as interesave të Kosovës, as atyre të personave të dënuar së fundmi nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.





