Një ndërprerje e gjerë e shërbimeve të Microsoft ka lënë mijëra përdorues në vende të ndryshme të botës me probleme në aksesimin e postës elektronike dhe platformave të punës. Defektet prekën Outlook, Microsoft 365 dhe Teams, ndërsa raportimet u përqendruan kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe Itali.
Sipas faqes Downdetector, rreth orës 18:00, sipas orës lokale italiane, vetëm në SHBA ishin regjistruar më shumë se 130 mijë raportime për probleme me Outlook. Ndërkohë, mbi 46 mijë përdorues kishin raportuar vështirësi me Microsoft 365 dhe rreth 3 mijë të tjerë me platformën Teams. Shifrat mund të jenë edhe më të larta, pasi raportimet vijonin të shtoheshin.
Microsoft konfirmoi se kishte marrë njoftime nga përdoruesit për vështirësi në aksesimin e kutive postare përmes shërbimit Exchange Online.
“Po shqyrtojmë raportimet e përdoruesve që po hasin probleme në aksesimin e kutive të tyre postare në Exchange Online, përmes mënyrave të ndryshme të lidhjes, në kontinentin amerikan”, njoftoi kompania në një mesazh në rrjetin social X.
Kompania bëri të ditur se kishte nisur verifikimet për të identifikuar shkakun teknik të ndërprerjes, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Problemet u shfaqën pasi Microsoft kishte njoftuar më herët se kishte zgjidhur një ndërprerje të shërbimit Teams që preku përdoruesit në Amerikën e Veriut. Megjithatë, kompania paralajmëroi se pasojat e saj mund të kishin ndikuar edhe në aksesin ndaj shërbimeve të Microsoft 365 në rajone të tjera.
Për momentin, shkaku i plotë i ndërprerjes dhe numri përfundimtar i përdoruesve të prekur nuk janë bërë të ditur.

