Britania e Madhe ka reaguar sërish duke shprehur shqetësim për synimin e Kuvendit të Kosovës që të votojë sërish ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Përmes një postimi në adresën zyrtare, ambasada britanike në Prishtinë paralajmëron se një veprim i tillë mund të dëmtojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Në reagim thuhet se amendamentet e propozuara nuk do t’u shërbenin interesave thelbësore të Kosovës dhe se do të minojnë marrëdhëniet e saj me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë. Ambasada britanike thekson se i ka marrë parasysh reagimet pas vendimeve të fundit, por vlerëson se Kosova duhet të vazhdojë të respektojë angazhimet ndërkombëtare. “Ne besojmë se qëllimet e Kosovës mund të shërbehen më së miri duke siguruar që Kosova të vazhdojë të mbajë angazhimet ndërkombëtare dhe përkushtimin e saj për llogaridhënie, drejtësi dhe sundim të ligjit”, thuhet më tej në postimin e ambasadës. Britania e Madhe I bën thirrje Kuvendit që të zhvillojë konsultime të mëtejshme me Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë, për të gjetur një zgjidhje më të mirë.