Tragjedia e nënës së dy fëmijëve trondit Britaninë/ E goditën me thikë në zemër, por tentoi të shkonte vetë në spital Një vilë luksoze në Kaliforni, e lidhur me një prej masakrave më të tmerrshme të vitit 1970, ka dalë sërish në tregun e pasurive të paluajtshme për 4.6 milionë dollarë.
Pas arkitekturës mbresëlënëse, pishinës, fushës së tenisit dhe kopshteve japoneze, prona fsheh një histori të përgjakshme, ku pesë persona u vranë brutalisht.
Sipas raportimit të Cobra Magazine, vila është ndërtuar në vitin 1965 dhe është projektuar nga arkitekti Aaron Green, i cili ishte nxënës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i arkitektit të famshëm Frank Lloyd Wright.
Prona ka një sipërfaqe prej rreth 387 metrash katrorë, pesë dhoma gjumi, katër banja dhe shtrihet në një territor privat prej afro 10 hektarësh. Fillimisht ishte nxjerrë në shitje për një çmim më të lartë, por pas uljes së fundit tashmë kërkohen 4.6 milionë dollarë.
Historia e errët e kësaj rezidence daton më 19 tetor 1970, kur 24-vjeçari John Linley Frazier hyri në shtëpinë e okulistit të njohur Victor Ohta.
Frazier, i cili njihej me nofkën “Killer Prophet” (Profeti Vrasës), kishte zhvilluar bindje ekstreme dhe paranojake, duke pretenduar se ishte zgjedhur nga Zoti për të ndëshkuar njerëzit që, sipas tij, shkatërronin natyrën.
Viktima të sulmit u bënë mjeku Victor Ohta, bashkëshortja e tij Virginia, dy djemtë e tyre, Derek 12 vjeç dhe Taggart 11 vjeç, si dhe sekretarja e mjekut, Dorothy Cadwallader.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Frazier i lidhi pesë viktimat me shalle mëndafshi dhe kravata, përpara se t’i dërgonte në oborrin e pasmë të banesës dhe t’i qëllonte pranë pishinës.
Pas vrasjeve, ai i vuri zjarrin disa pjesëve të shtëpisë, në përpjekje për të shkatërruar gjurmët. Zjarrfikësit që mbërritën për të shuar flakët u përballën me një skenë makabre, pasi trupat e pesë viktimave u gjetën në pishinën e rezidencës.
Para largimit, Frazier kishte lënë edhe një shënim të daktilografuar në xhamin e makinës Rolls-Royce të mjekut, ku deklaronte se kishte nisur Lufta e Tretë Botërore dhe kërcënonte ata që dëmtonin mjedisin.
Autori u arrestua katër ditë pas masakrës, më 23 tetor 1970, ndërsa flinte në një kasolle jo shumë larg pronës.
Në vitin 1971, ai u shpall fajtor për pesë vrasje të shkallës së parë dhe u dënua me vdekje. Më vonë, dënimi iu ndryshua në burgim të përjetshëm. Në gusht të vitit 2009, Frazier i dha fund jetës në qelinë e tij në burgun Mule Creek, në Kaliforni.
Pavarësisht dëmeve të mëdha të shkaktuara nga zjarri, vila u restaurua në fillim të viteve 1970, duke ruajtur pjesën më të madhe të arkitekturës origjinale.
Sot, rezidenca ofron një pamje krejtësisht tjetër nga ajo që la pas masakra. Ajo ka mure të mëdha xhami me korniza druri të kuq, një sallon madhështor me oxhak dhe tavane që arrijnë lartësinë rreth 7.6 metra.
Në ambientet e jashtme gjenden një pishinë në formë lagune, fushë tenisi, kopsht japonez me pellg me peshq koi dhe ujëvarë, sauna tradicionale, tarraca prej guri, një shteg mes bambuve dhe një hapësirë për lojën bocce.
Më shumë se 55 vite pas krimit që tronditi Kaliforninë, rezidenca është rikthyer në treg për 4.6 milionë dollarë.
Top Channel