Një ngjarje tragjike ka tronditur Britaninë e Madhe. Eleanor Barnfield, 47 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve, humbi jetën pasi u godit me thikë në zemër, ndërsa pas sulmit tentoi të drejtonte vetë makinën drejt spitalit për të shpëtuar jetën.
Gruaja, e cila punonte në një shoqatë strehimi, u gjet e plagosur rëndë brenda automjetit të saj më 19 tetor në Bridgend. Ajo ishte sulmuar gjatë kohës që ndodhej në punë, në kompleksin e banimit Ger-Y-Nant, ku jetojnë të moshuar.
Sipas raportimeve të “Daily Mail”, pas sulmit Barnfield tentoi të shkonte me makinë drejt Spitalit Princesha e Uellsit, rreth 2.4 kilometra larg. Por ajo arriti të përshkonte vetëm rreth 275 metra, përpara se të humbiste kontrollin e automjetit dhe të përplasej me një mur.
Ekipet e emergjencës e gjetën me një plagë të rëndë në gjoks dhe e transportuan në spital, ku më vonë ndërroi jetë. Sipas të dhënave të paraqitura në seancën hetimore, shkaku paraprak i vdekjes ishte një plagë me thikë që kishte prekur zemrën.
Për vrasjen e dyshuar është akuzuar Clifford Foster, 61 vjeç, banor i kompleksit Ger-Y-Nant. Ai është paraqitur në gjykatë dhe është lënë në paraburgim. Seanca e radhës, ku do të trajtohen pranimi i fajësisë dhe përgatitja e gjykimit, është caktuar më 23 nëntor.
Familjarët e 47-vjeçares e kanë përshkruar atë si një nënë të dashur dhe një nga njerëzit më të guximshëm në botë. Në mesazhin e tyre, ata thanë se Eleanor ishte shtylla e familjes dhe se mungesa e saj do të ndihet përgjithmonë.
“Ishte gjithçka për ne”, u shprehën të afërmit.
Pas ngjarjes u ngritën pretendime se gruaja kishte pritur për orë të tëra mbërritjen e ambulancës, përpara se të vendoste të shkonte vetë në spital. Megjithatë, Shërbimi i Ambulancës së Uellsit i ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se njoftimi për emergjencën u mor në orën 12:44 dhe se njësia e parë mbërriti në vendngjarje shtatë minuta më vonë.
Hetimi për vdekjen e Eleanor Barnfield është shtyrë nga mjekja ligjore Rachel Knight deri në përfundimin e procedurave penale.

