Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani e ftuar në emisionin “Studio Live”, ka folur për buxhetin e vitit 2027 për arsimin, duke e cilësuar atë si një buxhet historik. Osmani u shpreh se fondi prej 1.03 miliardë eurosh do të shpërndahet në katër shtylla kryesore: arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe infrastrukturën. Sipas saj, ky buxhet synon t'u përgjigjet nevojave të qytetarëve, mësuesve dhe pedagogëve, duke vendosur në qendër cilësinë në arsim.
“Buxheti i vitit 2027 është një prej buxheteve më të mira që Ministria e Arsimit ka marrë. Nëse do ta shikonim sektorin e arsimit në tërësi, do të thoshim se është një nga ato buxhete që vërtet përkthehet në atë që qytetarët, mësuesit dhe pedagogët kërkojnë nga arsimi, që është cilësia në arsim. Është 1.03 miliardë euro që do të shpërndahen në katër shtylla kryesore: arsimi parauniversitar, arsimi i lartë, kërkimi shkencor dhe infrastruktura. Është një buxhet historik. Është një buxhet i dedikuar për arsimin, pavarësisht se shpërndarja nuk shkon vetëm te pagat apo vetëm te elemente të caktuara, të cilat mund të jenë të zakonshme për çdo vit.”- tha Osmani.
Sa i përket investimeve në arsimin parauniversitar, Osmani bëri me dije se aktualisht 316 shkolla janë pajisur me Smart Lab, ndërsa synimi është që deri në vitin 2028 të gjitha shkollat të kenë laboratorët përkatës. Ajo u ndal edhe te mbështetja për kërkimin shkencor, duke theksuar se janë miratuar 86 projekte që do të financohen nga Ministria e Arsimit.
“Për arsimin parauniversitar, kemi 316 shkolla me Smart Lab, pra laboratorët e fundit. Jemi duke bashkëpunuar me të gjitha instancat e duhura për të siguruar që deri në vitin 2028 të gjitha shkollat të jenë të pajisura me laboratorë. Kërkimi shkencor ka një buxhet të dedikuar. Aktualisht janë miratuar 86 projekte që do të financohen nga Ministria e Arsimit.”- u shpreh zëvendësministrja.
Osmani foli edhe për situatën e shkollave në zonat rurale, duke deklaruar se në vitin shkollor 2026–2027 nuk ka asnjë shkollë të mbyllur. Sipas saj, në disa zona ka rënie të numrit të nxënësve, por shkollat vijojnë të funksionojnë përmes organizimit me shkolla qendër dhe shkolla vartëse. Ajo theksoi se në pesë vitet e fundit nuk ka pasur shkolla të mbyllura.
“Sa i përket situatës në zonat rurale, nuk kemi asnjë shkollë të mbyllur në vitin shkollor 2026–2027. Pra, aty ku ka rënie, kemi rënie të numrit të nxënësve, por nuk kemi shkolla të mbyllura. Kemi një shkollë qendër dhe disa shkolla vartëse. Në pesë vitet e fundit nuk ka pasur shkolla të mbyllura. Kjo kërkon një diskutim, pasi nuk vjen nga cilësia në arsim. Shteti është i detyruar të orientojë dhe të sigurojë arsim të barabartë për çdo nxënës.”- tha Osmani.











Komente
Komento