Lëvizje në qeveri, shkarkohet zëvendësministri Endrit Hoxha
Qeveria ka miratuar një sërë ndryshimesh ligjore dhe vendimesh gjatë mbledhjes së zhvilluar më 12 nëntor, ku vëmendjen e tërhoqi edhe largimi nga detyra i zëvendësministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Endrit Hoxha.
Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë për Media dhe Informim, Këshilli i Ministrave ka vendosur lirimin e Hoxhës nga funksioni, pa bërë të ditur në njoftim arsyet e këtij vendimi apo nëse do të ketë një zëvendësues të menjëhershëm.
Në të njëjtën mbledhje, qeveria ka miratuar edhe projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për sigurinë kibernetike, si dhe projektligjin për eficiencën energjetike. Ky i fundit synon të krijojë një kuadër masash për nxitjen dhe përmirësimin e përdorimit efikas të energjisë në Shqipëri.
Një tjetër vendim lidhet me ndryshimet në ligjin për ndihmën shtetërore, konkretisht në ligjin nr. 9374, të vitit 2005.
Në fokus kanë qenë edhe procesi i integrimit evropian dhe funksionimi i grupit negociator. Qeveria ka miratuar ndryshime në rregullat që përcaktojnë përbërjen, funksionimin dhe trajtimin financiar të këtij grupi, si dhe detyrat e kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Këshilli i Ministrave ka miratuar gjithashtu një vendim për përbërjen, funksionimin dhe përgjegjësitë e anëtarëve të mekanizmit të koordinuar për referimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Në mbledhje është dhënë edhe mendimi i qeverisë për projektligjin joqeveritar që lidhet me ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore. Po ashtu, është përcjellë qëndrimi për dy projektligje që kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në vitin 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.
Largimi i Endrit Hoxhës nga posti i zëvendësministrit është një prej vendimeve të emërtuara në njoftimin e mbledhjes së fundit të qeverisë, krahas ndryshimeve në disa prej ligjeve dhe akteve që prekin sektorë të rëndësishëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



