Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka qenë në fokus të diskutimit në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus.
Analisti Andi Bushati u ndal te deklaratat dhe akuzat e fundit të Veliajt ndaj kryeministrit, duke thënë se për të vlerësuar pretendimet e tij duhet mbajtur parasysh edhe raporti që ai ka me të vërtetën.
Sipas Bushatit, megjithatë, një gjë është bërë e qartë: marrëdhëniet mes dy figurave politike janë prishur, ndërsa ai ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si u zhvillua procesi që çoi Veliajn në burg.
Analisti parashtroi dy skenarë për rolin e Ramës në këtë çështje: ose kryeministri ka dhënë urdhër për veprim ndaj Veliajt, ose u ka përcjellë institucioneve të drejtësisë sinjalin se mund të vepronin edhe kundër tij.
Bushati ngriti gjithashtu çështjen nëse Veliaj, për shkak të përplasjes me kreun e qeverisë, mund të jetë duke u përballur me një trajtim të ndryshëm nga institucionet e drejtësisë apo administrata e burgut.
Ai theksoi se zhvillimet e fundit kanë ndryshuar raportin mes Ramës dhe Veliajt, ndërsa deklaratat e këtij të fundit kanë hapur një tjetër debat mbi prapaskenat e përplasjes brenda Partisë Socialiste.
Në përfundim, Bushati u shpreh se pyetja mbi rolin e Ramës në arrestimin e Veliajt nuk mund të shihet më si një çështje e parëndësishme, duke lënë të hapur dyshimin nëse kryeministri ka ndikuar drejtpërdrejt apo tërthorazi në këtë proces.













