Përplasja me Berishën, Lala: Pushka-top. Analistët: Gazetarët janë makthi i politikanëve të korruptuar
Gjatë paradites së të enjtes, kryedemokrati Sali Berisha, pasi ka dalë nga ambientet para Prokurorisë së Posaçme, ka pasur një përplasje me gazetaren e kronikës Klodiana Lala.
E ftuar në studion e “Të Paekspozuarit”, Lala ka treguar se çfarë ka ndodhur mes saj dhe kryedemokratit.
Lala tha se detyra e saj është dhe do të jetë gjithnjë të bëjë pyetje, ndërsa zoti Berisha ka problemin e votave.
Me gazetaren u solidarizuan edhe analistët Ermir Gjinishi, Preç Zogaj, Dritan Hila dhe Andi Bushati, të cilët theksuan se Berisha nuk e ka për herë të parë që sulmon gazetarët kur pyetjet nuk i shkojnë për shtat.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Përplasja me Berishën, çfarë ishte kjo?
Lala: Pse e bëri zoti Berisha, duhet të pyesni atë. Unë jam në të drejtën time që i konsideroj interes publik. Që në momentin që SPAK konfirmoi faktin që dënimi ndaj saj është fshehur, zonja Gjoka nuk mund të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë. Gjuha e zotit Berisha është e papranueshme. Unë nuk kërkoj vota si Sali Berisha. Zoti Berisha do të shkojë në zgjedhjet vendore dhe do të duhet të bindë qytetarët që ta votojnë. Unë, edhe po të vijë ai në SPAK dhe po të mos vijë, unë do të vijoj të bëj pyetje.
Hila: E pashë atë pjesën ku Doktori e sulmoi Lalën. Më bëri çudi sulmi i tij. Lala nuk është fanse e Ramës, mund të quhet si gazetare opozitare. Sulmi i Doktorit m’u duk i pakumptimtë. Doktori nuk është fort i përqendruar te hallet e partisë, është i përqendruar te hallet e veta dhe duket sikur Klodi e ka prekur në kallo diku. Doktori femrat i sulmon me fjalën e fundit. Për këtë duhet të jetë e kënaqur Klodiana, se nuk ishte te sharjet e rënda. E akuzoi për afilacione politike.
Lala: Pushka-top.
Hila: E mban mend në Parlament ti, iu qep Dades, Meksit.
Zogaj: Mund të gjente një mënyrë për të folur me elegancë, ky do të ishte lajm. Lajmi që Berisha bën një koment ndaj një pyetjeje politike nuk ka befasi. Unë i shpreh solidaritet Lalës dhe çdo gazetari që kryen detyrën, që pyet. Nëse politika kapet me gazetarët, nuk fiton gjë.
Bushati: Nuk është e re për Berishën, është traditë, idiotësi politikisht. Ndërkohë që bën gjithë fushatën se: “Shih si e bën Rama me gazetarët”, politikisht nuk ka kuptim. Unë jam me Klodianën që thotë “pushka-top”, nuk duhet të qahemi në këtë pikë.
Zogaj: Këtë e bën dhe Trumpi.
Hila: Mirë Trumpi mo, por Berishës çfarë i ka ndodhur?
Gjinishi: Gazetarët janë makthi i njerëzve të korruptuar. Ne kemi një regjim 36-vjeçar që na tregon se deri në çfarë niveli është korruptuar.




