Analisti Arjan Curri ka zbuluar një skenar të mundshëm për ndryshime në kabinetin qeveritar, në prag të Asamblesë së Partisë Socialiste, që pritet të mbahet të shtunën.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Curri pretendoi se disponon informacione për një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut, gjatë të cilit kjo e fundit dyshohet se ka kërkuar rishpërndarjen e posteve dhe rritjen e ndikimit të saj në qeveri.
Sipas versionit të paraqitur nga analisti, takimi është zhvilluar me kërkesë të Ramës, i cili ka diskutuar me Ballukun për vendimet që pritet të merren në Asamblenë e PS-së.
Curri pretendoi se Balluku i ka kërkuar kreut të qeverisë të rishikojë përbërjen e kabinetit, duke vënë në diskutim edhe qëndrimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Në këtë skenar, sipas tij, është përmendur mundësia e largimit të Gogut dhe rikthimi i Vëngut në një post qeveritar.
Analisti përmendi gjithashtu emrat e ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, si pjesë të një skenari të pretenduar për rishpërndarjen e përgjegjësive ministrore.
Një tjetër pretendim i Currit lidhej me raportet e pushtetit brenda Partisë Socialiste. Ai sugjeroi se Balluku mund të kërkojë një rol më të madh në vendimmarrjen qeveritare, duke e përshkruar konfigurimin e mundshëm si një qeveri Rama-Balluku.
Në deklaratën e tij, analisti përmendi edhe SPAK-un dhe GJKKO-në, duke pretenduar se gjatë bisedës është diskutuar ndikimi që mund të kenë aktorë të ndryshëm në zhvillimet politike.
Megjithatë, Curri theksoi disa herë se informacionet që disponon nuk janë të konfirmuara dhe se mund të jenë edhe pjesë e një skenari për të zhvendosur vëmendjen nga zhvillimet e tjera politike.
Ai parashikoi se Asambleja e së shtunës mund të sjellë lëvizje të rëndësishme në qeveri, ndërsa hodhi edhe pretendimin se Toni Gogu ka vetëm 24 orë kohë për të bindur Ballukun për pozicionin e tij.
“Kam informacione totalisht të ndryshme për një takim të zhvilluar mes Ramës dhe Ballukut, është bërë me thirrjen e të parit dhe Rama i ka thënë Ballukut se çfarë do të bëjmë në Asamble.
Balluku sipas informacioneve të mia ka thënë: ‘Dëgjo Edi, kam zhdukur të gjithë armiqtë e tu, Veliajn që deshi të ndizte protestat, Spiropalin që të shau deri në Gjermani, Sara Milen që të kërcënonte me të fortët e Elbasanit. A ka kuptim të ndajmë qeverinë mes disa aksionerëve? Çfarë do të bëjmë me Gogun, do ta mbajmë akoma? Po sikur ta heqim atë dhe të kthejmë Vëngun?’ Ju e dini që shefja i emëron drejtorët, sipas investigimit të Fiks Fare.
Përse të mos i japim Malajt edhe Ekonominë dhe Mjedisin? Gogu me shumë mundësi do të hiqet pasnesër. Përse të mos i japim Karakaçit edhe postin e ministrit të jashtëm? Këto informacione nuk i kam të konfirmuara, mund të jenë për të shpërndarë vëmendjen.
Ajo i ka thënë që ka SPAK-un dhe GJKKO-në, merr këta 4-5 të mitë dhe e ke ti në dorë. Me shumë mundësi do të kemi një qeveri Balluku-Rama pas kësaj. Unë them se pasnesër qeverinë e merr të gjithën Balluku. Toni Gogu ka 24 orë që të bindë Ballukun se nuk është vetëm me Ramën, por edhe me të”, u shpreh Curri.













